I dashur ditar,
Kam qenë dhe unë dikur gocë e mirë.
Kur them “e mirë”, nuk i referohem mendimit tim për veten, se ai nuk ka ndryshuar kurrë (dhe sipas tij, jam më e mira). Them “e mirë”, sipas manualit të prindërve e gjyshërve të çdo kohe.
Ëndrra ime, që e vogël, ishte që kur të rritesha (jo dhe aq në fakt), të njihja njeriun e jetës, atë me të cilin do të dashurohesha dhe do të krijoja familjen time.
Modeli im ishin prindërit e mi, ai model që unë ta do ndiqja, sepse nuk kishte më të mirë se ai.
Besimi im ishte se nëse gjithçka bëhej “sipas rregullave”, unë do të isha e lumtur, njëlloj si prindërit e mi dhe si të gjithë njerëzit e martuar kudo që ndodheshin.
Nejse, e vërteta është se shumë vajza e mendojnë kështu sa janë të vogla. Veçse disa i japin vetes më shumë kohë që të rriten. Disa të tjera rriten më shpejt. Aq shpejt, sa nuk kanë kohë të thyejnë as një rregull. Dhe kjo, në sytë të të gjithëve, i bën ato pa diskutim “goca të mira”.
Si të ta shpjegoj?! Ja, për shembull, e ke parasysh atë vajzën që përshëndeta pak më parë? Edhe ajo, gocë shumë e mirë! Derisa një ditë vendosi t’i thoshte të shoqit se donte të ndahej. Kushedi sa herë i kishim thënë ne shoqet e saj që ta bënte! Ai e tradhtonte. Ne të gjitha e dinim. Por ajo ishte rritur duke besuar se e vetmja zgjidhje ishte martesa dhe preferoi të qante çdo natë, derisa ai të ndryshonte. Vuante vërtet dhe kjo e bënte atë edhe më të mirë.
Të gjithë e donin.
Të gjithëve u vinte keq për të. Sidomos ne, shoqeve të saj.
Imagjino tani ç’tronditje për të gjithë kurajën dha lajmin e ndarjes! Kishte njohur dikë tjetër.
“Po kjo është në terezi, apo jo?! Këtu femrat po vriten për burrë. Kjo mirë që shkon e ndan, po na zë edhe të dashur të ri! Sa shpejt, moj shoqe! Rrimë ne!!! Ajo sa lë njërin, zë tjetrin. Epo, s’thonë kot “paç fatin e kurvës”, jooo!”.
Komentet e para nisën nga ato që e njihnin më mirë: shoqet.
Tani, ditar, si për herë të parë që e dëgjon këtë fjalë, ti me siguri vetëm sa mund ta marrësh me mend që të jesh kurvë, duhet të jetë një gjë shumë e keqe.
“…dhe në fakt, ashtu është. Është fjalë e rëndë. Në çdo kontekst që të thuhet, ka vetëm kuptim negativ.” – Gjatë një darke me të dashurin tim dhe një shokun e tij, mundohem të argumentoj të kundërtën, po nuk arrij dot. Kam një si bindje të brendshme që nuk është plotësisht siç thonë ata. Domethënë, ka dhe kontekste në të cilat fjala për të cilën debatojmë, merr kuptimin e një vlere, apo nuk është krejt negative.
Nuk di si të ta them, se më duket sikur s’po shprehem dot tamam.
Edhe atë natë nuk arrita dot të gjej fjalët e duhura.
Mund ta kuptoj, sigurisht, se si ndihet ajo shoqja që përshëndeta pak më parë. Kur je mësuar të jesh “gocë e mirë”, nuk bën dot lehtë paqe me një fjalë që deri në momentin kur e dëgjon për herë të parë, të përdoret për të të etiketuar ty; beson se vetmi kuptim që ka është ai që i jep fjalori i gjuhës shqipe. Pra, në fillim, e ke të vështirë t’i bësh një lidhje me veten. Mirëpo pasi kalon mërzitjen dhe mbi të gjitha konfuzionin fillestar, kur veshi ia nis të mësohet duke e dëgjuar dhe ti kupton se fjalori në rastin e kësaj fjale nuk duhet marrë fare për bazë, pikërisht atëherë ti kupton se nuk je e vetmja kurvë në qytet. Dhe, mbi të gjitha, kupton se kjo fjalë ka aq shumë kuptime, sa femra ka vërdallë. Secila i jep një kuptim më vete (sipas inatit dhe objektit të inatit) dhe secila “meriton” një kuptim të caktuar të sajin (sipas llojit të inatit, apo xhelozisë që ka shkaktuar). E kështu, dalëngadalë të mëson ty të mos mërzitesh ose të paktën jo dhe aq shumë. Madje, madje u bashkohesh të gjitha simotrave të tua, që mendojnë se “pema me kokrra gjuhet” dhe se ajo që të shan në këtë mënyrë, në të vërtetë thellë-thellë do të dëshironte të ishte (po nuk mundet të jetë) si ty.
Epo, ja pra, kjo do ketë qenë që unë nuk munda të shpjegoja atë natë gjatë darkës me të dashurin tim dhe shokun e tij. Si mund të jetë kaq e rëndë një fjalë që përdoret kaq rëndom, për këdo, mjafton të mos na pëlqejë për diçka?!
“Po jo, ç’thua, moj! Si u përdorka kaq lehtë! Nuk mund të quash këdo ‘kurvë’. Është e rëndë.” – Kushëriri dhe njëkohësisht miku im më i ngushtë, nuk arrin të kuptojë ç’po përpiqem t’i shpjegoj.
“Është shumë e rëndë, – përsëriti edhe një herë disa orë më vonë i dashuri im. – Mund të quash kështu vetëm një njeri për të cilin nuk ke më asnjë lloj vlerësimi”.
Seç kanë një gjë këta meshkujt, shumë të ndryshme nga ne! Duket sikur e kanë bërë të gjithë me fjalë të mbajnë një qëndrim unik e solidar kur vjen puna për gjëra të tilla. “Jo mo, po ne jemi shumë më të hapura, më të lira. Kemi më shumë ide. Jemi më të pavarura nga njëra-tjetra… eee… pa komplekse, po, po, kjo është fjala, pa komplekse!”.
Ja, ndalo, mendo pak!
Kush e përdor këtë fjalë, të krijuar pikërisht për të na sharë, më shumë se ne? Kush më shumë se një femër, shan (kritikon) një simotrën e saj të së njëjtës gjini? Ti hyn në një lokal, e veshur, e pispillosur, i ke bërë të gjitha kujdeset e nevojshme për t’u dukur mirë… shumë mirë… shumë, shumë mirë dhe ja ku vështrimet e vajzave të tjera aty të tregojnë menjëherë se sapo kanë zbuluar tek ne një mori gjërash që nuk shkojnë.
Ose shkon në kinema me të dashurin dhe kaloni për mrekulli. Ju zë e qeshura, dashuria, putheni… ai të kap dhe dorën… Por të nesërmen, sapo takon shoqen e parë, kupton se nuk je sjellë si duhet. Se aq dashuri në publik mund të duket sikur ti paske qenë keq t’u tregosh të gjithëve se ke zënë të dashur.
Shkon në palestër. Po jo, ç’është kjo?!!! Femra duhet pak e kolme, boll me palestrën se të than shumë! Mirëpo nëse nuk shkon, është bela e madhe se bëhesh tmeeerr dhe duhet të tonifikohesh urgjentisht. Dhe nëse tonifikohesh dhe e sjell veten në formën tënde më të mirë, gjasat janë që (për ndonjë) të jesh shumë pranë të qenit kurvë.
“Domethënë, ne nuk i shpëtojmë dot kësaj fjale, apo jo? Ne të gjitha, secila për arsyet e veta, jemi… …Domethënë çfarë duhet të bëjë njeriu i shkretë që të jetë ‘gocë e mirë’ xhanëm?” – zëri erdhi duke u shuar gradualisht sapo vura re që çifti që po ecte krah nesh ndaloi bisedën për të dëgjuar tonën.
“Çfarë duhet të bëjë?! Je mirë ti?! – përgjigjet shoqja e motrës sime, që na ishte bashkuar fare rastësisht për një ecje nga liqeni. – E ç’të duhet të jesh ‘gocë e mirë’, moj?! Sa herë që nuk e merr atë punën apo projektin që do, është faji i një kurve që ishte treguar më e shkathët se ty. Shkon të blesh fustanin që ëndërroje, një kurvë tjetër e ka blerë para teje (dhe me ulje madje!). Sa herë ndahemi nga njeriu që duam më shumë në botë, është pa diskutim një kurvë që na e ka marrë. Dalim para pasqyrës dhe nuk na pëlqen vetja. Ne e dimë se faji i kujt është… i kurvave, që nuk lënë palestër e klinikë estetike pa bredhur. Atëherë? Do akoma të jesh gocë e mirë? Apo do t’ia shpjegoj unë të dashurit tënd konceptin?! Meqë kishe pasur vështirësi për të gjetur fjalët, jo për gjë,” – përfundoi me aq seriozitet, sa më befasoi kur shpërtheu në një të qeshur që i bëri të gjithë kalimtarët të kthenin kokat.
E kështu, ditari im i dashur, kjo vajza që gjatë gjithë kohës thuajse as e kisha vënë re fare, më bëri të ndaloja një çast e ta shikoja me vëmendje. Ishte shumë kinge, e gjatë, elegante, portret klasik, me humor dhe e gjindshme për të ndihmuar shoqërinë kur ajo ka vështirësi për t’i shpjeguar ndonjë gjë të dashurit. Hmmm...! Më beso, kishte shumë pak gjasa për të qenë gocë e mirë!
Po sigurisht që unë nuk kisha fare nevojë për ndihmën e saj. Në fund të fundit, edhe unë, me siguri, nuk jam aq e mirë sa ç’e di veten.