KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Anonim të lutem

Frikë, mirënjohje, mosbesim: Si ndihen shqiptarët pas tërmetit

Shkruar nga Anabel

29 Nëntor 2019

Më e keqja kaloi, por dhimbja, frika, ankthi dhe mosbesimi mbetet mes nesh. Me mijëra e mijëra njerëz na shkruajtën në Instagramin tonë për t’iu përgjigjur pyetjes më të thjeshtë: Si jeni? Pyetjes që shumë rrallë i përgjigjemi me sinqeritet. Zgjodhëm këto 50 përgjigjje për të ilustruar si ndihet një komb i tërë pas një tragjedie. Qofshin në zonat e prekura, afër tyre, jashtë vendit a kudo tjetër, shqiptarët janë mirënjohës që janë gjallë dhe të pikëlluar për ata që s’janë.

1.Jam mirë, por ndihem shumë keq për gjithë jetët që janë humbur e gjithë njerëzit që janë duke vuajtur.

2. Mezi marr frymë. Në Krujë ka filluar një erë dhe shi, na tmerroi duket si zhurmë tërmeti.

3. Shumë keq akoma. Më kujtohen të bërtiturat dhe të qarat e vëllait të vogël.

4. Jam aq keq sa po më ikën qumështi i gjirit për fëmijën. Lutem për të tjerët.

5. E tmerruar, e frikësuar, por njëkohësisht i them Zotit faleminderit se mund të kishte shkuar më keq.

6. Jam e tmerruar personalisht. Mezi fle. Më tepër nga pamjet dhe viktimat se nga tërmeti.

7. Na dridhen këmbët akoma. Pa gjumë. Na ka humbur sensi i kohës.

8. S’dua të kthehem më te shtëpia në Tiranë, s’dua ta shoh më atë krevat ku më zuri. Vetëm qaj 24 orë.

9. Ndihem e frikësuar, jo për vete, por për familjen. Më duket sikur lëkundemi çdo pesë minuta.

10. Ne që jetojmë në Durrës e dimë çfarë tmerri kemi përjetuar. Kemi frikë të ecim në rrugë, mos na bien tulla në kokë.

11. Të trembur edhe pse shtëpia është mirë, flemë në makinë.

12. Dje natën po lutesha të zgjohesha gjallë kur u ndjenë disa lëkundje.

13. E tronditur, e trishtuar duke ndjekur me lot nga televizori gjendjene vendit tim. Jetoj në Londër.

14. Ne në Korçë kemi që në qershor me dorë në zemër. S’po gjejmë qetësi. Do Zoti mbaron me kaq.

15. Ndihemi sikur na ka ardhur fundi dhe presim nga momenti në moment ç’do të ndodhë.

16. Jam komplet pa shpresë. Nuk kthehem në shtëpi. Kam ankth të tmerrshëm.

17. I vetmi moment kur jam ndjerë mirë ishte kur çova ndihmat te sheshi.

18. Jam me studime jashtë shtetit dhe këtë javë jap provimet përfundimtare. Vetëm qaj gjithë ditën dhe mendoj për famijen.

19. Kam nevojë për një psikologe. Sa mbyll sytë më kujtohet gjithë skena që përjetova. Kam fobi nga gjumi tani.

20. Tmerr me sy kemi parë. Gjithë kohën mendja tek ata në çadër. S’na kalon buka poshtë.

21. Ndihem keq! Dua të lë punën sepse e kam në katin e gjashtë.

22. Kam tre netë pa gjumë. Fle një orë në drekë, nëse quhet gjumë me 100 makthe. Kam frikë për familjarët natën dhe rri zgjuar i ruaj.

23. Pallati im nuk ka pasur dëmtime, por kam frikë të kthehem aty. Kam parë tmerr me sy me bebe të vogël.

25. Ndihem shumë me fat që kam familjen time shëndoshë e mirë dhe gjithë të afërmit.

26. Nga njëra anë kam frikë, por nga ana tjetër dua ta marr me lehtësi se kaq e pati, por s’më lënë lëkundjet.

27. Netët pas tërmetit ishin të tmerrshme për mua. Nuk lexoj më lajme sepse nuk i përballoj dot.

28. Falenderuese ndaj Zotit, por e shokuar.

29. Kjo do të jetë trauma më e madhe e jetës. Kam frikë të fle gjumë vetëm. Shtrëngoj fëmijët fort.

30. Ndihem si një kufomë që nesër do të shkojë të përcjellë shokun që vdiq nga tërmeti ditën që bëri 18 vjeç.

31. Jetoj jashtë dhe jam shtatzënë. Prej dy netësh nuk fle nga frika për familjarët dhe nga tronditja e madhe.

32. Unë dhe familja kemi ardhur në Berat dhe na kanë mirëpritur. Bravo Berati.

33. S’dua të kthehem në konvikt në katin e katërt. Jam tmerruar. Gocave u binte të fikët.

34. Stres, panik dhe mërzitje pafund. Sikur të mos mjaftonin këto, duhet të dalim edhe për punë.

35. E vrarë që humba një shoqe si Kristi dhe ende s’më besohet.

36. Keq! Më mungon normaliteti. Çdo gjë mbyllur. Kam frikë të ulem në kafe sepse janë poshtë pallateve.

37. Më dhemb zemra dhe shpirti për Durrësin tim, për njerëzit dhe viktimat. Ama ndihem me fat.

38. E tmerruar, kam marrë ilaçe qetësuese se nuk fle dot gjumë.

39. Pasi pashë tim atë që u bë urë në trupin tim për të më mbrojtur, ndihem më e fortë se kurrë.

40. Po jetoj normalisht, por kam marrje mendsh herë pas here.

41. Miks përjetimesh. Ankth, frikë sa herë del një viktimë nga rrënojat. Sikur më copëtohet zemra.

42. Bëhem keq kur mendoj që pronarët e mi hedhin 40 bukë çdo natë dhe nuk çojnë asnjë për ndihmë.

43. Si mos më keq. Jemi tromaksur. Mezi mbajta gruan se desh m’u hodh nga kati i tretë. Zot mbaj dorën.

44. Kur zgjohem në mëngjes dhe shoh se vogëlushja ime ka hapur sytë, them Zot faleminderit.

45. E tmerruar. Jetoj në Greqi dhe studioj këtu. Shtëpia ime ndodhet atje! Çdo zhurmë që dëgjoj më tremb.

46. Më mori malli për krevatin tim dhe më ngelën litarët e qenve në dorë që t’i kem kollaj për t’i nxjerrë jashtë.

47. Ndihem e motivuar për t’i folur atij që kam qejf.

48. E tmerruar. Të mendosh që për pak do lind.

49. Zakonisht kur s’bëjmë mësim gëzohemi, por këto ditë kam qenë shumë e mërzitur.

50. Të martën rreth orës një, kisha një vizion sikur do të binte tërmet. Sikur të kisha folur...

MOS I HUMBISNI