Eja shohim pak Tv

Historia që s’bëri të lumtur askënd

Shkruar nga Sindi Salaj

26 Janar 2020

Historia që s’bëri të lumtur askënd

Në “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua një tjetër rast problematik, ai i një familjeje me tre fëmijë të mitur, të cilët jetojnë në vështirësi ekonomike.

Rubia, nëna e tre fëmijëve, tregoi në emision që për shkak se punon pasdite, nga ora 16:00 deri në 1 pas mesnatës, për dy fëmijët, përkatësisht dy dhe pesë vjeç, kujdeset vajza e madhe, Klodjana, vetëm 11 vjeçe. Klodjana e takon të ëmën shumë pak orë në ditë, pasi paradite ndodhet në shkollë, ndërsa pasdite Rubia është në punë. 

Sigurisht që pas publikimit të rastit, ishte e natyrshme empatia në rrjete sociale, nisur nga fakti që fenomeni është shumë i përhapur në shoqërinë tonë. Megjithatë pati edhe nga ata ndjekës që nuk e pritën mirë rastin. Një prej tyre shkroi në Revista Anabel në Facebook.

“Mirë ky rasti na la shije jo të mirë, por sërish janë të rritur dhe vendosin vetë, po për rastin e tretë pse nuk diskutohet? Si ka mundësi që i serviret publikut? Fëmija 11 vjeç kujdeset për motrën 2 vjeç dhe vëllanë 5 vjeç. Ky është abuzim, dhunim i të drejtave të fëmijëve. Dhe mami i kërkon falje vajzës. Kjo familje nuk ishte për të dalë në emision, por me këtë problem duhet të merren shoqatat, qendrat sociale dhe shteti. Si mund të lësh fëmijën në shtëpi gjithë mbasditen e gjithë natën tre fëmijë të vegjël, nën kujdesin e vajzës së madhe që është 11 vjeç? Arbana dhe stafi nuk duhej të ishin marrë fare me këtë rast, por ta denonconin në instancat përkatëse. Apo kur ndodh gjëma, kur dëgjojmë nëpër lajme që u dogjën tre fëmijë apo ranë nga ballkoni etj., sensibilizohemi ne si shoqëri.”

Kujtojmë që komenti i mësipërm i referohet rastit të tre fëmijëve të mitur që humbën jetën nga zjarri në shtator të 2017-s në Rromanat, Durrës, si pasojë e një loje me shkrepëse teksa prindërit nuk ndodheshin në shtëpi.

Rasti i Rubies nuk është një rast i izoluar, pasi ka pafund familje që për shkak të vështirësive ekonomike, por edhe mentalitetit, përballen me një fenomen të tillë, ku fëmijët marrin përsipër përgjegjësi, të cilat janë të papërballueshme dhe të palejueshme për zhvillimin e tyre emocional dhe fizik. Sipas ligjit, përgjegjësia e prindërve përfshin sigurimin e mirëqenies emocionale, sociale dhe materiale të fëmijëve që nxisin zhvillimin e tyre. Në të kundërt, nëse nuk përmbushen detyrimet, shteti ka të drejtën që të të heqë kujdestarinë e fëmijës.

Për një mendim më të specializuar, iu drejtuam psikologes Denada Toçe.

“Është shumë e rëndësishme që fëmijët të përfshihen në rritjet e motrave dhe vëllezërve, por gjithnjë nën prezencën e prindërve. Në momentin që fëmijët kthehen në kujdestarë të fëmijëve, kalojmë në neglizhencë dhe abuzim,” shpjegoi Toçe.

“Sigurisht që ne e kuptojmë realitetin socialo-ekonomik dhe kulturor dhe kjo është një pikë që duhet marrë në konsideratë. Por nëse e bëjmë pjesë të një programi, të cilin shqiptarët e shohin shumë, legjitimojmë që kjo është normale. Në fakt, nuk është normale dhe duhet t’i mëshojmë faktit që ky fenomen duhet të ndryshojë. Duke e bërë pjesë të programit ti e përligj, shkakton një emocion te shikuesi, por e kthen në model.”

Ajo që thekson Toçe është me rëndësi, sepse sigurisht që nuk është hera e parë që dëgjojmë a lexojmë për histori të tilla, megjithatë në momentin që publikohen në media dhe nuk u jepet një zgjidhje, atëherë situata fillon edhe trajtohet si diçka normale.

Klodjanës iu dhuruan tablo dhe penela për të vizatuar, por a pyeti njeri se në cilin moment do të vizatojë vogëlushja? A do ta gjejë ajo kohën për të pikturuar, kur e ëma shkon në punë pasdite dhe ajo kujdeset për dy fëmijët e tjerë të vegjël? A nuk do të ishte më mirë që programi të kontaktonte me Bashkinë në mënyrë që Rubies t’i pranonin fëmijët në çerdhe? A nuk do të ishtë më mirë që programi të kontaktonte me sponsorë, të cilët mund t’i siguronin një dado derisa familja të stabilizohej nga ana ekonomike? A nuk do të ishte një punë e re dhuratë më e vlefshme për familjen sesa disa penela që nuk do të përdoren kurrë?

Sikur të mos mjaftonin këto, në fund të programit, Klodjanës iu dhuruan disa fustanë dhe tekstualisht Arbana i tha: “Të paktën në shtëpinë tënde, kur ata të dy të flenë, ti të veshësh fustanet e bukura për qejfin tënd.” Pra me fjalë të tjera, kur Klodjana të mbarojë së bëri rolin e nënës, natën si Hirushja, atëherë kur nuk e sheh njeri, të gjejë pak kohë për të qenë fëmijë...

MOS I HUMBISNI