Që prej tetorit të vitit 2018 – kur Cristiano Ronaldo rrëzoi nga froni i njeriut më të ndjekur në Instagram Selena Gomez – llogaria e futbollistit vetëm rritej në numër. Sot (e mërkurë, 29 janar) Cristiano theu një tjetër rekord duke grumbulluar plot 200 milionë ndjekës në Instagram.
Në shkurt të 2016-s, Cristiano u bë i pari sportist që kishte 200 milionë ndjekës në total, referuar të gjitha platformave të rrjeteve sociale. Katër vite më vonë, 200 milionë ndjekës i numëron vetëm në Instagram, duke u bërë kështu një nga njerëzit më me ndikim në botë.
Pas @instagram – i cili sigurisht qëndron në vend të parë me më shumë se 330 milionë followers – @cristiano qëndron në vend të dytë, i ndjekur nga Ariana Grande dhe The Rock. Më pas renditen Selena Gomez, Kylie Jenner, Kim Kardashian dhe Lionel Messi. Top10 mbyllet me Beyonce-n dhe Neymar.