Anonim të lutem

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë në Shqipëri dhe si të mbroheni

Shkruar nga Anabel

30 Korrik 2020

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë

Duke marrë shkas nga një artikull i Anabel.al lidhur me bizneset online, shumë ndjekës na treguan në @anabel_media në Instagram për eksperiencat e tyre jo të mira me blerjet online, kryesisht me veshjet dhe këpucët. Fakti që numri i këtyre faqeve rritet me shpejtësi dita-ditës, krijon me patjetër nevojën e një filtrimi mes bizneseve që vlejnë vërtet dhe pjesës tjetër. Ndonëse një nismë e tillë nuk duket në horizont, ne mund të bëjmë vetë një lloj filtrimi, duke krijuar një standard kërkesash përpara se të vendosim për blerjen e një produkti. Si fillim, le t’u hedhim një sy problemeve kryesore dhe të përpiqemi t’u japim atyre një zgjidhje.

1. Produkti është tërësisht ndryshe nga fotot

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë

Ky është edhe rasti më problematik, kur shitet një produkt tërësisht ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Duhet të kërkoni gjithmonë foto dhe video reale të produkteve. Nëse këto video dhe foto janë bërë nga vetë dyqani, siguria për atë produkt bëhet edhe më e madhe. Përgjigje si “këto foto kemi”,  “janë fiks si te kjo fotoja e internetit” etj., nuk janë fort bindëse.

2. Klienti bën një porosi, e cila nuk vjen kurrë

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë

Nëse produkti është shitur, nuk funksionon transporti apo ka ndonjë problem tjetër, minimumi i kujdesit ndaj klientit është që atij t’i njoftohet se çfarë do bëhet me porosinë e tij. Ndërkohë, disa faqe duket se nuk kthejnë më përgjigje. Siç shihet nga mesazhet, ka ndodhur që këto faqe të marrin edhe pagesën paraprakisht dhe të mos sjellin produktin. Duhet të kërkoni gjithmonë për reviews dhe fotot e postuara të klientëve të faqes. Shikoni paraqitjen e faqes, raportin mes followers-following dhe sa aktivë janë ndjekësit te kjo faqe. Mos bëni pagesë paraprake, nëse biznesi nuk ka një website për ta bërë siç duhet këtë proces. Në rast se ju kërkohet të bëni një pagesë në bankë, sigurohuni të dini emrin dhe mbiemrin e personit të cilit po i dërgoni para, jo vetëm numrin e kartës së kreditit/debitit.

3. “Ngatërresa” në porosi

Një tjetër problem i hasur shpesh është vendosja e produkteve të gabuara në pako. Më në fund merr lajmin që porosia ka ardhur dhe kur e sheh është diçka krejt tjetër nga ajo që mendoje se ke blerë. Në fakt, të tilla gabime është e pamundur që të mos ndodhin, por kur më pas nuk merrni më përgjigje nga biznesi dhe nuk ju bëhet ndërrimi me atë që ju kërkuat në fillim, këtu kemi të bëjmë me asgjë më pak se një mashtrim ose mungesë përgjegjësie. Në të tilla raste, ju mund t’ja dërgoni produktin postës me të cilën e keni marrë dhe të kërkoni paratë tuaja.

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë

4. Abuzimi me produkte autentike

Nëse kërkoni fjalën "orgjinale" në Instagram, do t’ju shfaqen një mori biznesesh online me pretendimin se po shesin produkte autentike. Këtu abuzohet edhe më shumë me çmimin. Blerjet origjinale janë edhe më të kushtueshmet, prandaj jini të sigurt për vendin ku do investoni nëse vendosni për një blerje të tillë. Pyesni për kodin, letrat e autencitetit dhe mbi të gjitha kërkoni një verifikim me pajisjet e machine-learning, siç është p.sh. Entrupy, pasi jo pak herë produkti mund të përmbajë një kod “autenciteti” dhe të jetë vetëm një imitim pak më profesionist. Vlen të thuhet se përdorimi i Entrupy është një praktikë e rrallë. ViaAnabel është butiku i parë në Shqipëri e Kosovë dhe i dyti në Ballkan pas Kroacisë që përdori Inteligjencën Artificiale për të verifikuar autenticitetin e çantave luksoze.

Për një mendim më të specializuar, mund të risjellim në vëmendje një tjetër artikull të realizuar nga Anabel.al në mars të 2019-s. Vilma Bojaxhiu, Menaxhere e Marketingut dhe Specialiste e Autenticitetit në ViaAnabel, tregoi disa nga hapat e domosdoshëm që duhen ndjekur kur bëhet fjalë për blerje online.

“Duhet marrë në konsideratë emri i dyqanit dhe duhet kontrolluar sesa i besueshëm është. Mundohuni të kërkoni në Google dhe të lexoni komentet e blerësve të mëparshëm. Shumë dyqane online përdorin edhe uljet e mëdha për të joshur konsumatorin. Megjithatë nëse komentet negative janë të shumta, është mirë që të mos i besoni. Ndodh rrallë, megjithëse një pjesë e dyqaneve online mashtrojnë duke ofruar ulje të çmimeve të produkteve, kur në të vërtetë i kanë rritur ato si një strategji për të tërhequr klientët. Duhet që me patjetër të bëhet krahasimi i çmimeve duke kontrolluar për produktin në dyqane të tjera online," u shpreh ajo.

 

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë

Dikush tjetër përmend faktin e "demaskimit" apo nxjerrjes së të dhënave personale të klientëve që nuk marrin porositë që kanë bërë. Në fakt, ndonëse duket si një lloj "mbrojtjeje" ndaj klientëve mashtrues (sepse nuk mashtrojnë vetëm bizneset) nuk është forma e duhur për ta bërë këtë pasi përveçse tingëllon si bullizëm, nuk përbën dhe një përmbajtje (content) të këndshme për pjesën tjetër të klientëve potencialë që ndjekin biznesin. Ama nga ana tjetër, nuk ka ende mekanizma të mirëfilltë për të dënuar këto biznese apo klientë, prandaj çdo gjë mbetet mes dilemës nëse është etike apo jo.

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë

Një nga ndjekëset e Anabel.al përmend disa pika kryesore se ku çalon në tërësi ecuria e biznesit online.

Mashtrimet e faqeve në Instagram: Çfarë nuk shkon mirë

Është e rëndësishme të theksohet se këto lloj problematikash me blerjet online janë një fenomen me e-commerce-in kudo në botë, jo vetëm në Shqipëri. Mund të zhgënjeheni dhe nga një blerje në biznese të huaja, madje edhe mos t’ju mbërrijë fare produkti për të cilin keni paguar. Për këtë arsye, duhet të tregohemi gjithmonë të kujdesshëm dhe vigjilentë gjatë këtyre blerjeve.

Por, pse ndodhin të tilla probleme?

Prirja e blerjes konsumatore shkon përgjithësisht drejt pagesave cash, pas marrjes së produktit. Sipas Monitor.al, shqiptarët janë të prirur të shkojnë drejt pagesave cash dhe të evitojnë sa më shumë blerjet me kartë krediti, kjo për çështje sigurie. Duke marrë parasysh këtë, pjesa më e madhe e bizneseve online janë zhvendosur në Instagram e Facebook, duke funksionuar me korrierë ose postë private. Mungon një mekanizëm rregullues, për të vendosur një lloj standardi të këtyre faqeve, të cilat operojnë si të paregjistruara dhe nuk paguajnë taksa.

Çfarë mund të bëhet?

Nëse asnjë prej këshillave të mësipërme nuk rezulton e suksesshme, atëherë problemi thellohet. Në këto raste, e vetmja zgjidhje është që të drejtoheni tek Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit. Anabel.al kontaktoi me AMK, e cila u shpreh se çdo konsumator që has të tilla probleme, duhet të paraqitet pranë zyrave të tyre (rruga "Abdi Toptani", Tiranë) dhe të japë të gjitha të dhënat përkatëse për problemin dhe çështja ndiqet në vazhdim nga agjencia.

MOS I HUMBISNI