Shëndeti

Herën tjetër që do t'ju qortojnë pse fjetët e u zgjuat vonë, tregojuni këtë

Shkruar nga Anabel

9 Gusht 2020

Herën tjetër që do t'ju qortojnë pse fjetët e u

Shprehja e një “early bird”, referuar njerëzve që zgjohen herët në mëngjes, daton të paktën që prej Aristotelit, i cili në “Ekonominë” e tij shkruante: “Zgjimi përpara ditës është një zakon i shëndetshëm, për t’u lavdëruar.”

Benjamin Franklin, nga ana tjetër, e përshtati këtë në një shkrim më tërheqës:

“Early to bed, and early to rise, makes a man healthy, wealthy and wise.” (Zgjimi dhe fjetja herët, e bëjnë një njeri më të shëndetshëm, më të pasur dhe më të mençur)

Kohët e fundit, ka patur një shtysë për fillimet gjithnjë e më herët të punës, thirrjet në konferenca apo takimet e mëngjesit dhe një sërë këshillash për t’ja lënë rrjetet sociale pasditeve dhe për të kaluar mëngjesin duke mbaruar punë të rëndësishme. Mund të ketë disa të vërteta për këtë ide:

Një studim i vitit 1998, në Gazetën e Personalitetit dhe Psikologjisë Sociale thotë se ne bëhemi më pasivë me kalimin e ditës. Teoria thotë, se duhet t’i bësh gjërat më të rëndësishme në fillim, sepse nuk do të mund t'i bësh ato më vonë.

Në botimin e radhës të Psychological Science, janarin e kaluar, Maryam Kouchaki dhe Isaac Smith e morën atë teori edhe më tej, duke propozuar atë që e quajtën “efekti moral i mëngjesit”, i cili thotë se njerëzit sillen më mirë në fillim të ditës. Hulumtimi i tyre tërhoqi vëmendjen e Sunita Sah, një shkencëtare e sjelljes njerëzore në Universtitetin e Georgetown dhe një “night owl” (buf nate: term amerikan referuar studentëve që mësojnë më mirë natën, njerëzve që flenë vonë etj)

Për 5 vitet e ardhshme, Sunita Sah ka studiuar se si situata të ndryshme ndikojnë në sjelljen etike.

“Ju gjithmonë dëgjoni këto shprehje gjihëpërfshirëse: mëngjesi është i mirë, mbrëmja është e keqe, flini herët që të zgjoheni herët etj”, thotë ajo.

Si një ish-mjeke, ajo pyeti veten se sa i fortë ishte ky “efekt moral”. Mos vallë ajo dhe të tjerë, ishin përjashtim i rregullit? Për të provuar kufijtë e konstatimeve të Kouchaki dhe Smith, Sah dhe kolegët e saj filluan të shihnin biologjinë themelore:

Modelet tona të gjumit rregullohen nga ritmet cirkiane, përgjigja e trupit tonë ndaj ndryshimeve në dritë dhe errësirë. Ritmet janë paksa të ndryshme për çdo person, kjo është arsyeja pse nivelet tona të energjisë rrjedhin në mënyra unike për secilin prej nesh. Kjo orë e brendshme e jona, përcakton atë që quhet kronotipi ynë: pra, nëse jemi njerëz mëngjesi, nate apo diçka midis. Kronotipet janë relativisht të qëndrueshme, megjithëse dihet se zhvendosen me moshën. Fëmijët dhe të rriturit e moshuar në përgjithësi preferojnë mëngjeset, adoleshentët dhe të rinjtë preferojnë mbrëmjet.

Të kuptosh se ku bën pjesë është e thjeshtë: kaloni disa javë duke shkuar në shtrat kur ndiheni të lodhur dhe duke u zgjuar pa alarm.

Një alternativë më e shpejtë është pyetësori Horne-Ostberg, i cili paraqet skenarë të ndryshëm: një provim të vështirë, ushtrime fizike dy herë në javë me një mik etj— dhe përcakton kronotipin tuaj në bazë të asaj kohe të ditës që do të ndjeheni më mirë për t'i përballuar ato.

Sidoqoftë nuk është vetëm kronotipi ai që kontrollon zgjimin. Ekziston dhe ajo që njihet si: shtytja e gjumit homeostatik. Sa më gjatë jemi zgjuar, pavarësisht se ku jemi në ritmet tona cirkadiane, aq më shumë lodhja ushtron presion mbi ne. Në njerëzit e mëngjesit, këto të dyja janë të harmonizuara. Orët e tyre të brendshme janë sinkronizuar mjaft mirë me nivelet e tyre të gjithanshme të energjisë. Megjithatë për “bufët e natës”, situata bëhet pak më e komplikuar. Kur dielli lind, drita rivendos ciklin e tyre cirkadian, duke u thënë atyre të zgjohen, por për shkak të kronotipeve të tyre, ata nuk kanë shumë energji dhe duan të kthehen për të fjetur. Natën, ndodh e kundërta: një sistem po u thotë atyre të flenë dhe një tjetër u thotë të zgjohen. Rreth 40% e njerëzve hyjnë bëjnë pjesë në këtë kategori të fundit.

Ne jemi njerëz të ndryshëm në orë të ndryshme të ditës, por një zog që zgjohet herët nuk është superior ndaj një bufi nate.

Burimi: The New Yorker

MOS I HUMBISNI