Për mendimin tonë

Pse po shohim kaq shumë përleshje fizike mes gocave

Shkruar nga Anabel

2 Shtator 2020

Pse po shohim kaq shumë përleshje fizike mes gocave

Nëse jeni përdorues të rregullt të rrjeteve sociale dhe ndiqni vazhdimisht faqe memesh, me gjasë ju ka rastisur të shihni përplasje fizike mes vajzash të panjohura. Vështirë të thuhet nëse këto sherret e vazhdueshme, të cilat po përhapen gjerësisht nëpër rrjete sociale, janë thjesht rastësi apo ka disa arsye pse po shohim më shumë përplasje fizike mes grave. Megjithatë disa faktorë duhet të merren në konsideratë.

Përpara se të kalojmë te faktorët, vlen të sqarohet se pse na bëjnë kaq shumë përshtypje sherret fizike mes vajzave. Duhet thënë se qysh në moshë të hershme, fëmijët edukohen në një farë mënyre se zënkat, qofshin fizike ose verbale, janë deri diku normale te djemtë, ndërsa te vajzat jo. Ndoshta edhe për faktin se nga vetë temperamenti dhe forca fizike, djemtë janë më të prirur për t’u kundërpërgjigjur fizikisht, ndryshe nga vajzat. Kjo natyrë jo fort konfliktuale e vajzave dhe grave në përgjithësi, i ka bërë këto të fundit që edhe në art, si letërsi apo kinematografi, të portretizohen më shumë me intrigën, pse jo dinakërinë dhe veprimin me zgjuarsi në heshtje, ndërkohë që djemtë dhe burrat, për shkak të natyrës së tyre, janë lidhur më së shumti me reagimin e drejpërdrejtë dhe aksionin. Shembull i ngjashëm është Lady Makbeth dhe vetë Makbethi – koka dhe dora e krimit.

Megjithatë, pavarësisht se stereotipet mund të kenë një bazë sadopak të vërtetë, mbeten stereotipe dhe nuk është se sot po shohim për herë të parë përleshje fizike mes vajzave. Na bën ose jo përshtypje mbetet çështje këndvështrimi, por nuk besojmë se gabohemi nëse themi se po shohim gjithnjë e më shumë dhe jo pa arsye.

Faktori i parë që na vjen ndërmend të gjithëve është interneti. Nëse vite më parë, një debat i ashpër kalonte me bluetooth nga një telefon me tastierë brenda një rrethi të ngushtë miqsh, sot mund të shihet nga qindra e mijëra njerëz brenda një sekondi. Lehtësia për të shpërndarë çfarëdo informacioni, ka ndikuar te shikueshmëria e përmbajtjeve të caktuara, në këtë rast, sherreve fizike.

Një tjetër faktor që lidhet me internetin, por mund të trajtohet edhe si më vete, është “fuqizimi i memeve”. Në një situatë normale, tri janë gjërat që mund të bësh kur ndodh një përplasje fizike mes dy ose më shumë personave: 1) Të largohesh për të qenë i/e sigurt 2) Të përpiqesh t’i ndash 3) Të shohësh për kureshtje çfarë po ndodh. Por memet janë sot fenomen social dhe i gjen kudo, nga rrjetet sociale te protestat nëpër rrugë. Kështu, askush nuk heziton të filmojë dhe rrahë gjoksin me krenari për “memen e ardhshme”.

Përpos “pushtetit” të internetit dhe memeve, një faktor tjetër është edhe kultura e hip hopit, e përhapur gjerësisht së fundmi në industrinë e muzikës në vend, pjesë e së cilës janë gjithnjë e më shumë këngëtare femra. Shumë barriera janë hequr dhe vajzat sot sillen, vishen, shajnë dhe jetojnë “like a dude”.

Patjetër që ndikon temperamenti i dikujt dhe sigurisht situata, dhe të tilla konflikte nuk duhen parë si fundi i botës, se mund t’u ndodhin kujtdo (kurrë mos thuaj kurrë), megjithatë as nuk duhen promovuar përsa kohë nuk janë mënyra e duhur për të zgjidhur një problem, qoftë ky mes djemve apo vajzave.

MOS I HUMBISNI