Karakteristikat e Shenjave

Si është të kesh (ose të jesh) një fëmijë Virgjëreshë

Shkruar nga Anabel

15 Shtator 2020

Si është të kesh (ose të jesh) një fëmijë

Edhe ata njerëz që nuk janë të fiksuar me horoskopin, me siguri që janë kuriozë dhe kanë lexuar për karakteristikat e shenjave. Linda Goodman, astrologia më e shitur sipas Neë York Times, ka bërë një përshkrim të detajuar të karakteristikave të çdo shenje të zodiakut.

Kush është Linda Goodman? Mary Alice Kemery e njohur ndryshe dhe si Linda Goodman, lindi në 9 prill 1925 dhe ndërroi në moshën 70 vjeçare, në 21 tetor 1995.  Ajo ka qënë e para astrologe në listën best seller të New York Times. Libri i saj Linda Goodman’s Sun Signs ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe u pasua më vonë nga Linda Goodman’s Love Signs (1978) që gjithashtu u fut në listën e librave më të shitur nga New York Times, duke vendosur një rekord në këtë industri: 2.3 milion dollarë për të drejtat e autorit.

Fëmija Virgjëreshë

Një fëmijë i shenjës së Virgjëreshës është vigjilent dhe i shpejtë, por në të njëjtën kohë është më i qetë se të tjerët, një kontrast që na paralajmëron për një personalitet që në të ardhmen edhe do të qetësojë, edhe do të irritojë.

Pavarësisht të qenit selektiv në ushqim ose ndonjë ankese në lidhje me problemet e stomakut, të rritësh një fëmijë të shenjës së Virgjëreshës është një përvojë e këndshme, me pak konflikte dhe disa shpërthime zemërimi. Edhe kur janë shumë të vegjël, këta fëmijë janë të prirur të jenë të kujdesshëm dhe i vendosin mënjanë lodrat me dëshirë. Ata mund të jenë të turpshëm dhe të qetë në prani të grupeve apo turmave, por në familje dhe me të afërmit, me siguri nuk do të jenë ata që "u ka ngrënë macja gjuhën”.

Fëmijët Virgjëreshë rrallë janë të lodhshëm dhe do të jenë miq të mrekullueshëm, teksa nëna bën punët e shtëpisë. Për fat të mirë do të imitojnë çdo gjë që ajo është duke bërë dhe zakonisht do t’i fiksojnë gjërat që i thuhen që në herën e parë.

Në shkollë, fëmijët e Virgjereshës do jenë nxënësit e preferuar të mësuesve, për faktin se janë djemtë dhe vajzat më të lehtë për t’u disiplinuar dhe i bëjnë mësimet me shumë kujdes. Kritikat, megjithatë, duhet të përdoren me masë. Nëse vendoset shumë theksi tek gabimet, ata do të shqetësohen shumë dhe ndonjëherë edhe mund të sëmuren.

T’u mbahet një leksion morali përpara klasës do të jetë një ofendim i dhimbshëm për këta fëmijë dhe kjo mund ta largojë dëshirën për të mësuar. Këtyre fëmijëve u duhet thënë vetëm një herë, në heshtje, gabimi që kanë bërë.

Shpesh detyrat e përditshme, të papëlqyeshme nga pjesa tjetër e klasës, do të vlerësohen si me përgjegjësi të madhe nga fëmijët e Virgjëreshës. Ata janë individë të aftë, të përgjegjshëm, të besueshëm, me një qëndrim serioz, por miqësor, edhe pse shumë të ndjeshëm sa mund të preken lehtë nëse ngacmohen nga shokët e klasës.

Ndershmëria dhe vëmendja e përpiktë që kanë Virgjëreshat ndaj detajeve, i bëjnë këta fëmijë një zgjedhje e preferuar nga mësuesit kur kanë nevojë për ndihmë me testet në klasë. Ata do të jenë vigjilentë dhe do të kenë etikë, si vëzhgues të zgjedhur.

Është më mirë që të bëni sikur nuk e vini re interesin që do të tregojë adoleshenti i shenjës së Virgjëreshës për romancat. Virgjëreshat nuk e kanë të lehtë të pranojnë marrëdhëniet e ngushta që çojnë në martesë, prandaj rruga drejt kësaj duhet të jetë sa e qetë që është e mundur.

Ju duhet t’i përmbushni nevojat emocionale të fëmijës së shenjës së Virgjëreshës, duke treguar edhe afeksion fizik. Ai/ajo kurrë nuk do t’ju tregojë sesa shumë e dëshiron këtë lloj dashurie, por mungesa e saj do të ndikojë fuqishëm në marrëdhëniet e ardhshme. Madje edhe vajzat e vogla, të bukura dhe të zgjuara-ashtu si dhe djemtë e pashëm dhe të mençur- kanë shumë nevojë të binden që janë interesantë.

Këta fëmijë do të kenë shumë zakone strikte dhe do të ankohen nëse sendet u ngacmohen apo privatësia u cënohet. I bëjnë gjërat e përcaktuara në kohën e duhur dhe nëse u lëvizet orari personal, do të mërziten.

Ky fëmijë do të kritikojë çdo anëtar të familjes, ndonjëherë me humor, por duke imituar të metat e tyre. Ndoshta do të kërkojë të ketë dhomën personale që në moshë të vogël dhe do të ankohet për gatimin tuaj që herët. Ju lutem shumë, nuk mund të ketë copa patatesh në purenë e tij dhe shumë erëza në gjellë.

Edhe pse fëmija Virgjëreshë nuk është 100% modeli i përsosmërisë dhe ju do t’ju lind dëshira ta shkundni nga supet kur refuzon supën se i duket me kripë, ose refuzon të veshë këmishën që sapo i hekurosët, sepse ajo ka dy rrudha të vogla, një fëmijë i shenjës së Virgjëreshës është një gëzim i vërtetë për ta patur në shtëpi.

Këta fëmijë duhet të kenë një kotele ose një zog të vogël në shtëpi, në mënyrë që të mësojnë leksionet e dashurisë në heshtje dhe pa u trazuar, duke u kujdesur për të pafuqishmit. Mos i blini një bulldog apo një qen policie. Nëse ai është një djalë tipik i shenjës së Virgjëreshës, do të preferojë një kafshë të vogël. Do mahnitet me një nga ato foletë e milingonave. Mendja e vogël praktike do të bëhet vërtet kurioze, ndërsa sheh sesa shumë punojnë milingonat e vogla, me zell dhe pa u lodhur.

Dëgjojini kur flasin. Kanë një mençuri që shkon përtej moshës së tyre. Ata do të përpiqen shumë për t’ju kënaqur nëse e dinë saktësisht se çfarë prisni prej tyre. Mos harroni që imagjinata ka nevojë për hapësirë që të rritet.

Kurrë nuk duhet të shqetësoheni se mos e përkedhelni shumë apo se mos i keni dhënë shumë iluzione. Fëmija i Virgjëreshes është bërë me material më të fortë se kaq.

- Publikuar për herë të parë në korrik të vitit 2014/ ndalohet kategorikisht ribotimi.

MOS I HUMBISNI