Shqipëria

Gjatë karantinës, u rritën ndjeshëm rastet e pornografisë së fëmijëve: Rreziku nga faqet shqiptare

Shkruar nga Anabel

16 Tetor 2020

Gjatë karantinës, u rritën ndjeshëm rastet e

Një raport i publikuar nga Europol, thekson se është rritur numri i krimeve kibernetike gjatë pandemisë. Raporti nxjerr në dritë se ka një rritje të dukshme të abuzimit online ndaj fëmijëve dhe të rinjve, ku çfarë duket më shqetësuese është pornografia e fëmijëve. Në një prononcim për A2 News, Altin Hazizaj, drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, tha se gjatë muajve mars dhe prill, ka pasur një rritje të raportimeve të pornografisë së fëmijëve në faqe në Facebook.

“Duhet të kuptojmë një gjë që krimi kibernetik në Shqipëri është ende shumë i limituar krahasuar me krimin kibernetik në vendet e Bashkimit Europian apo Amerikë. Kështu që nuk më bën përshtypje që policia e shtetit ose institucionet e tjera ligjzbatuese kanë kaq pak kërkesa kundrejt Facebook-ut [për hetimin e pornografisë dhe krimeve të tjera kibernetike]. Ajo që dua të them dhe ka vlerë në këtë diskutim është fakti që gjatë pandemisë, në muajin mars dhe prill, kemi marrë në platformën kombëtare isigurt.al, platforma për fëmijët dhe të rinjtë, 5500 ose 5700 raportime për pornografi të fëmijëve.”

Hazizaj shtoi se shifra vërtet mund të mos jetë e madhe krahasuar me vendet europiane ose ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por është shumë herë më e lartë se ajo e një viti më parë.

“Nëse i krahasojmë me raportimet e viteve të kaluara, kemi pasur në total 100-150 raportime, në mos gaboj. Pra, në dy muaj [patëm] mbi 5000 e diçka faqe të raportuara për pornografi të fëmijësh të hedhura në Facebook, në shumicën e rasteve me fëmijë të huaj, por në 100 e ca raste ishin raste të pornografisë me fëmijë ose adoleshentë, ose marrëdhënie të të rriturve shqiptarë, por ku fëmijët kanë pasur akses.”

Ndër të tjera, Hazizaj sqaroi bashkëpunimin me Facebook-un:

“Ne kemi marrëveshje me Facebook-un, siç e kemi edhe me Google përsa i përket YouTube-t. Ajo që kemi bërë ka qenë një diskutim shumë pozitiv me Facebook-un. Ata na kanë vendosur pikën e kontaktit për shoqërinë civile dhe na kanë trajnuar stafin. Të paktën ne si zyrë jemi të mirëpozicionuar në një kompani si Facebook. Çfarë ramë dakord me Facebook-un, ishte se nëse na vinin raportime, po themi 300 brenda natës, Facebook na kërkoi që të mos i raportonim të 300-ta, por t’i linim disa ditë kohë vetë sistemit të tyre të inteligjencës artificiale për t’i mbyllur dhe ne më pas bënim një rakordim në fund të javës me Facebook-ut mes imazheve, faqeve dhe personave të raportuar dhe faqeve që inteligjenca e tyre artificiale kishte pikasur. Në mbi 90% të rasteve, programi i tyre i mbyllte.”

Hazizaj ngriti shqetësimit se nga vëzhgimet e bëra për më shumë se një dekadë, rezulton se ka pak të dënuar për abuzimet me fëmijët, në këtë rast përdorimi i pornografisë. “Kjo më bën mua si profesionist të kuptoj se kapacitetet e policisë së shtetit, të prokurorisë, janë aq të kufizuara sa nuk arrijnë dot që në mënyrë profesionale, të ligjshme, të ndjekin krimet kibernetike," tha ai.

Në fund të komunikimit të tij, theksoi rrezikun që vjen nga faqet shqiptare:

“Ne kemi probleme jo aq me Facebook dhe YouTube, sepse janë platforma që kanë investuar dhe janë në gjendje të mbyllin faqet në mënyrë automatike. Ne kemi probleme me faqe shqiptare. Ne kemi probleme me Jeta Osh Qef; jo më larg se dy javë më parë, na është dashur t’i kontaktojmë në mënyrë private, që nuk është normale, për të hequr imazhet e bullizmit dhe dhunës së një adoleshenteje, që nuk e kuptoj pse duhet hedhur. Kemi imazhe thuajse pornografike, që nuk janë as erotike, të cilat janë të aksesueshme nga fëmijët, të cilat i gjen në faqet më qesharake, por edhe në faqet serioze, siç mund të jenë gazetat serioze, apo portale që janë serioze dhe nuk duhet të ndajnë imazhe të tilla. Kështu që nëse ka një diskutim që duhet ta bëjmë, janë portalet dhe faqet shqiptare, të cilat janë shumë herë më të vështira për t’u mbyllur, sepse në aspektin ligjor ka mangësi.”

MOS I HUMBISNI