Lifestyle

10 fraza për t’iu përgjigjur një personi pasivo-agresiv pa humbur qetësinë

10 fraza për t’iu përgjigjur një personi pasivo-agresiv pa
Foto: wavebreakmedia | Shutterstock

Të përballesh me dikë që sillet në mënyrë pasivo-agresive nuk është aspak e lehtë. Por ka njerëz që duket se e kanë zbërthyer formulën: nuk përfshihen në lojëra të vogla, nuk bëjnë sikur nuk e kuptojnë thumbimin dhe, kur është e nevojshme, e vendosin tjetrin përballë asaj që po bën.

Ata nuk kanë frikë të jenë të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, dinë të përdorin disa fraza të thjeshta që e ndërpresin menjëherë komunikimin pasivo-agresiv.

1. “Do të preferoja të ishe i/e drejtpërdrejtë me mua”

Lojërat pasive-agresive janë lodhëse. Nuk ka rëndësi sa i/e qetë mendon se duket personi që i përdor; për tjetrin, kjo sjellje mund të duket thjesht e bezdisshme dhe e papjekur.

Prandaj, një person që di të vendosë kufij mund të thotë fare thjesht: “Do të preferoja të ishe i/e drejtpërdrejtë me mua.”

Kjo tregon se nuk ke ndërmend të bësh sikur nuk e kuptove mungesën e respektit. Nëse dikush ka diçka për të thënë, është më mirë ta thotë hapur sesa të fshihet pas nënkuptimeve dhe thumbimeve.

2. “Çfarë doje të thoje me këtë?”

Personat pasivo-agresivë shpesh nuk presin që dikush t’i ndalojë dhe t’u kërkojë të shpjegojnë atë që sapo thanë. Pikërisht për këtë arsye, kjo pyetje mund ta ndryshojë menjëherë situatën.

Nuk është domosdoshmërisht një përpjekje për të nisur sherr. Përkundrazi, është një mënyrë për ta kthyer bisedën në një terren të barabartë.

Në vend që të bësh sikur nuk e dëgjove thumbimin, i jep tjetrit mundësinë të shpjegojë çfarë kishte ndërmend të thoshte.

3. “Çfarë të shqetëson?”

Pasivo-agresiviteti shpesh shfaqet kur dikush e ka të vështirë të shprehet drejtpërdrejt. Psikologia Cortney Warren, e trajnuar në Harvard, ka shpjeguar se një person pasivo-agresiv shpesh fsheh faktin që është lënduar apo mërzitur, por nuk di si ta shprehë.

Në vend që të reagosh me të njëjtën monedhë, mund të thuash: “Çfarë të shqetëson?” ose “Kam përshtypjen se je i/e mërzitur. Do të flasim për këtë?”

Kjo i tregon personit se e ke kuptuar se diçka nuk shkon dhe se je gati ta dëgjosh, nëse dëshiron të flasë. Nëse nuk është ende gati, nuk ke pse ta detyrosh. Mund të tërhiqesh dhe të përqendrohesh te gjërat që mund të kontrollosh: te vetja dhe mënyra si reagon.

4. “Nuk lexoj mendjen e njerëzve”

Kur dikush sillet në mënyrë pasivo-agresive, shpesh pret që të tjerët ta kuptojnë vetë se çfarë dëshiron apo çfarë e ka mërzitur.

Por askush nuk është i detyruar të hamendësojë.

“Nuk lexoj mendjen e njerëzve” është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të thënë se, nëse ke një problem apo një nevojë, duhet ta shprehësh.

Në çdo marrëdhënie të shëndetshme, qoftë romantike, miqësore apo profesionale, komunikimi nuk mund të bazohet te pritshmëria që tjetri të kuptojë gjithçka pa ia thënë.

5. “Nëse nuk je dakord me mua, mund të ma thuash”

Nuk ka shumë gjëra më acaruese sesa dikush që nuk shpreh hapur mendimin e tij, por përpiqet të të ulë me komente të tërthorta.

Nëse nuk je dakord, thuaje. Kritika e shprehur me respekt mund të jetë e dobishme dhe një konflikt i shëndetshëm, kur menaxhohet siç duhet, mund të forcojë besimin në një marrëdhënie.

Prandaj, një person që di të përballet me pasivo-agresivitetin nuk ka nevojë të hamendësojë. Mund të thotë thjesht: “Nëse nuk je dakord me mua, mund të ma thuash.”

6. “Nuk ka nevojë të tregohesh pa respekt”

Komunikimi konstruktiv kërkon respekt, edhe kur dy njerëz kanë mendime krejt të ndryshme.

Mund të mos bini dakord për asgjë dhe sërish të flisni me respekt. Ajo që e prish bisedën është momenti kur mendimi kthehet në fyerje, thumbime apo nënçmim.

“Nuk ka nevojë të tregohesh pa respekt” është një mënyrë e qartë për të vendosur kufirin. Nuk ke pse të përgjigjesh me të njëjtën sjellje vetëm sepse dikush tjetër po e bën.

7. “Nëse je i/e mërzitur, do të preferoja ta dija tani”

Njerëzit që dinë të përballojnë sjelljen pasivo-agresive nuk kanë shumë frikë nga përballja. Mund të jetë e sikletshme t’i kërkosh dikujt të flasë hapur, por është shumë më efektive sesa të përpiqesh të kuptosh pafund se çfarë po e shqetëson.

Nëse pyet dhe personi përgjigjet: “Asgjë”, ndërkohë që vazhdon të sillet ndryshe, të paktën i ke dhënë mundësinë të flasë.

Fraza “Nëse je i/e mërzitur, do të preferoja ta dija tani” e bën të qartë se dera për një bisedë të sinqertë është e hapur. Më pas, përgjegjësia nuk është më e gjitha e jotja.

8. “A duhet të nxjerr ndonjë përfundim nga kjo?”

Kjo është një mënyrë tjetër për t’i treguar dikujt se e ke kuptuar shumë mirë nëntekstin e komentit të tij.

Mesazhi është i qartë: e dëgjova çfarë the, por nëse po përpiqesh të më thuash diçka, thuaje hapur.

Në vend që të lejosh një koment pasivo-agresiv të kalojë pa u vënë re, kjo pyetje e nxjerr atë në dritë dhe i jep personit mundësinë të sqarojë veten.

9. “Le të mos merremi me këtë tani”

Jo çdo situatë kërkon një përballje të menjëhershme.

Ndonjëherë thjesht nuk ke energjinë për t'u marrë me një bisedë të lodhshme. Njerëzit që dinë të menaxhojnë sjelljen pasivo-agresive e kuptojnë se ka momente kur është më mirë të tërhiqesh dhe t’i japësh situatës pak kohë.

Për të zhvilluar një bisedë të vështirë duhet të jesh në gjendjen e duhur mendore. Sidomos kur përballë ke dikë që nuk di të komunikojë në mënyrë të pjekur, këmbëngulja për ta zgjidhur gjithçka në atë moment mund ta përkeqësojë situatën.

10. “Pse ndjeve nevojën ta thoje këtë?”

Ndonjëherë mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur një komenti të pavend është ta kthesh pyetjen te personi që e bëri.

“Pse ndjeve nevojën ta thoje këtë?” nuk ka pse të jetë një sulm. Mund të jetë thjesht një mënyrë për ta bërë tjetrin të ndalet dhe të mendojë për fjalët e veta.

Në vend që ta përshkallëzosh situatën, po i jep mundësinë personit të shpjegojë veten. Ndonjëherë, kjo është pikërisht ajo që nevojitet për ta kthyer një komunikim të tensionuar në një bisedë më të sinqertë dhe produktive.