Në punë apo në biseda të ndryshme, ndodh shpesh që të përballesh me dikë që thotë diçka që të duket e gabuar, e palogjikshme ose thjesht e pakuptimtë. Reagimi i parë mund të jetë të mendosh: “A e ke seriozisht?” ose edhe më keq, “A je budalla/qe?”. Por njerëzit me aftësi të mira komunikimi dinë ta shprehin mospajtimin pa e ulur tjetrin.
Shpesh njerëzit bëhen mbrojtës kur ndihen të gjykuar ose kur mendojnë se po vihen në siklet. Për këtë arsye, një qasje më e qetë dhe më e respektueshme mund ta mbajë bisedën produktive.
Këto janë disa nga shprehjet që përdorin njerëzit e zgjuar për të sfiduar një ide pa sulmuar personin përballë.

1. “Nuk po e kuptoj, a mund të më tregosh më shumë?”
Kjo fjali i jep tjetrit mundësinë të shpjegojë mënyrën si ka arritur në një përfundim. Ndonjëherë ajo që duket si një ide e gabuar mund të jetë thjesht një keqkuptim ose një këndvështrim që nuk është shpjeguar mirë.
Të tregosh mirëkuptim krijon një hapësirë ku të dy palët mund të flasin pa u ndier të sulmuara.

2. “Më ndihmo të kuptoj si arrite në këtë përfundim”
Në vend që të thuash “kjo nuk ka kuptim”, kjo pyetje të lejon të kuptosh logjikën pas mendimit të dikujt tjetër.
Në një ambient pune, kjo mënyrë komunikimi ndihmon që biseda të mos kthehet në një përplasje, por në një kërkim të përbashkët për zgjidhje.
3. “Interesante, nuk e kam dëgjuar kurrë të shprehur në këtë mënyrë”
Kjo frazë nuk e mohon menjëherë mendimin e tjetrit, por e nxit atë të japë më shumë shpjegime.
Një pyetje shtesë shpesh tregon më shumë zgjuarsi sesa një kritikë e menjëhershme.

4. “E kuptoj çfarë po thua, por faktet tregojnë diçka tjetër”
Këtu pranohet fillimisht këndvështrimi i personit tjetër dhe më pas paraqitet kundërshtimi.
Është shumë më e lehtë për dikë të dëgjojë një mendim ndryshe kur nuk ndihet sikur po i thuhet menjëherë “je gabim”.
5. “Më trego si funksionon mënyra jote e të menduarit”
Njerëzit që udhëheqin mirë nuk përpiqen vetëm të japin përgjigje, por duan të kuptojnë procesin e mendimit të të tjerëve.
Kjo pyetje mund të zbulojë edhe nëse ka pasur një keqkuptim gjatë rrugës.

6. “Le të shohim edhe disa alternativa. Mendoj se mund të ketë një mënyrë më të mirë”
Kjo e zhvendos fokusin nga personi te problemi.
Në vend që dikush të ndihet sikur po kritikohet, ai ndihet pjesë e një procesi ku po kërkohet zgjidhja më e mirë.
7. “Me gjithë respektin, nuk jam dakord”
Nuk ka asgjë të keqe të mos biesh dakord me dikë. Në fakt, shumë biseda të mira lindin pikërisht nga mendime të ndryshme.
Çelësi është mënyra si e shpreh kundërshtimin.

8. “E kuptoj këndvështrimin, por…”
Kjo tregon se ke dëgjuar atë që personi ka thënë para se të shprehësh mendimin tënd.
Kur njerëzit ndihen të dëgjuar, janë më të hapur edhe ndaj kritikës.
9. “Unë e shoh ndryshe”
Ndonjëherë nuk është e nevojshme të bindësh dikë se është gabim. Mund të ekzistojnë këndvështrime të ndryshme dhe një bisedë e shëndetshme i lejon ato.
Të shprehësh ndryshimin pa sulm është një shenjë komunikimi të pjekur.

10. “Është një pikë interesante, por mendoj se mungon diçka”
Kjo mënyrë e hap bisedën për një element që mund të jetë anashkaluar, pa e bërë tjetrin të ndihet i pavlerësuar.
Sidomos në punë, kjo ndihmon që të gjithë të ndihen pjesë e zgjidhjes.

11. “Të dëgjova, por a mund të ndaj edhe mendimin tim?”
Kjo është një nga mënyrat më të thjeshta për të ruajtur respektin në një bisedë.
Në fund, komunikimi i mirë nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit të drejtë, por me mënyrën si i trajton njerëzit edhe kur nuk mendon njësoj si ata.




