
Të jesh emocionalisht i sigurt nuk do të thotë të mos përjetosh ankth, trishtim, zemërim apo emocione të tjera të pakëndshme. Përkundrazi, njerëzit emocionalisht të sigurt kanë një marrëdhënie më të shëndetshme me ndjenjat e tyre. Ata nuk përpiqen t’i injorojnë vetëm sepse i bëjnë të ndihen keq dhe as nuk ndiejnë nevojën t’i “rregullojnë” menjëherë.
Kjo i ndihmon të përballojnë më mirë stresin dhe situatat e vështira, pa lejuar që një humor i keq apo një emocion i fortë të përcaktojë mënyrën si sillen. Ata mund të ndihen keq, por kjo nuk do të thotë se heqin dorë nga gjërat që kanë rëndësi për ta.
Siguria emocionale ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë gjenetikën, përvojat familjare dhe mënyrën e jetesës. Megjithatë, një rol të rëndësishëm kanë edhe zakonet që përsërisim çdo ditë dhe mënyra si zgjedhim të reagojmë ndaj emocioneve.
1. Nuk e kanë zakon të kritikojnë të tjerët

Të kritikosh dikë mund të të japë një ndjesi të përkohshme superioriteti ose lehtësimi, por kjo nuk do të thotë se të bën mirë në planin afatgjatë.
Sigurisht, ekziston edhe kritika konstruktive, e cila synon të ndihmojë dhe të përmirësojë një situatë. Problemi lind kur kritika përdoret kryesisht për të ngritur veten duke ulur dikë tjetër.
Shpesh, duke u përqendruar te gabimet e të tjerëve, shmangim përballjen me ato që na shqetësojnë te vetja. Në këtë kuptim, kritika mund të bëhet një mënyrë për të larguar vëmendjen nga problemet tona.
Njerëzit emocionalisht të sigurt përpiqen të dallojnë kur një vërejtje është vërtet e dobishme dhe kur është thjesht një reagim i nxitur nga nevoja për t’u ndier më mirë.
2. Nuk i injorojnë emocionet e tyre

Të shtypësh një emocion mund të duket si zgjidhja më e lehtë në moment. Nëse diçka ju lëndon, është krejt e natyrshme të dëshironi ta largoni nga mendja. Por kur kjo bëhet mënyra juaj e zakonshme për t’u përballur me ndjenjat, mund të ndikojë negativisht në marrëdhënien që keni me veten.
Njerëzit emocionalisht të sigurt nuk e shohin trishtimin, zemërimin apo frikën si diçka që duhet zhdukur menjëherë. Ata përpiqen ta kuptojnë atë që po ndiejnë dhe t’i japin vetes kohë për ta përjetuar.
Kjo nuk do të thotë të qëndroni të bllokuar në një emocion. Do të thotë të mos ikni prej tij vetëm sepse është i pakëndshëm. Të mësosh të tolerosh shqetësimin emocional është pjesë e rëndësishme e një marrëdhënieje më të shëndetshme me veten.
3. Nuk lejojnë që mendimet negative t’i pushtojnë

Mendja jonë prodhon vazhdimisht mendime dhe jo të gjitha ato janë të dobishme apo të vërteta. Mund të kalojmë orë të tëra duke menduar se çfarë mund të kishim bërë ndryshe, çfarë mund të ndodhë në të ardhmen ose duke rikthyer vazhdimisht një situatë nga e kaluara.
Problemi nuk është të mendosh për këto gjëra, por t’i lejosh ato të marrin kontrollin mbi gjithë ditën dhe gjendjen emocionale.
Njerëzit emocionalisht të sigurt përpiqen të mos e marrin çdo mendim si fakt. Një mendim mund të jetë thjesht një mendim, jo domosdoshmërisht një e vërtetë apo diçka që duhet analizuar deri në fund.
Të mësosh të dallosh mes asaj që po ndodh realisht dhe asaj që mendja juaj po parashikon, rikujton apo imagjinon, mund t’ju ndihmojë të mos ngecni në cikle të pafundme shqetësimi dhe mendimi të tepërt.
Në fund, siguria emocionale nuk nënkupton të jesh gjithmonë i qetë apo të mos kesh ditë të këqija. Ka më shumë të bëjë me mënyrën si silleni me veten kur ato ditë vijnë: pa i mohuar emocionet, pa i lënë mendimet t’ju kontrollojnë dhe pa përdorur të tjerët si mënyrë për t’u ndier më mirë.


