Në një botë ku gjithçka duhet të jetë e shpejtë dhe e lehtë, një mëngjes i qetë duket pothuajse si luks. Shumë prej nesh e nisin ditën duke kontrolluar telefonin, lexuar mesazhet ose hapur email-et, pa i dhënë trupit dhe mendjes kohë të zgjohen plotësisht.
Por disa rituale të thjeshta, që dikur ishin pjesë e zakonshme e mëngjesit, mund të na ndihmojnë ta nisim ditën më ngadalë dhe me më pak stres. Praktikat e përqendrimit te momenti i tanishëm janë lidhur edhe me përmirësimin e ankthit, ndaj ndonjëherë mjafton të rikthejmë disa zakone të vjetra.
1. Shtriquni para se të prekni e shikoni ndonjë ekran
Të zgjohesh dhe të kapësh menjëherë telefonin, për të kontrolluar rrjetet sociale apo mesazhet e punës, e fut trurin në një lumë informacioni që në minutat e para të ditës.
Në vend që ta nisni mëngjesin me njoftime dhe detyrime, provoni të bëni disa ushtrime të lehta shtriqjeje. Mund edhe ta mbani telefonin larg shtratit dhe të përdorni një orë alarmi të veçantë. Kjo ju jep disa minuta pa ndërhyrje digjitale, përpara se dita të fillojë me ritmin e saj.
2. Përgatitni vetë çajin ose kafenë
Kur gjithçka mund të porositet me një klikim, përgatitja e kafesë ose çajit në shtëpi mund të duket si humbje kohe. Në të vërtetë, vetë procesi mund të krijojë një moment qetësie.
Përgatitja e pijes, derdhja në filxhan dhe pirja e saj pa bërë disa gjëra njëherësh ju detyrojnë të përqendroheni tek ajo që po bëni. Edhe disa minuta të tilla në mëngjes mund të ndihmojnë që dita të mos nisë menjëherë me nxitim.
3. Shkruani me dorë listën e detyrave
Lista e gjërave që duhet të bëni mund të duket më praktike në telefon, por një fletë dhe një stilolaps mund të kenë një tjetër efekt.
Shkruani me dorë detyrat dhe përgjegjësitë e ditës. Përveçse ju ndihmon të organizoheni, ky ritual ju jep mundësinë të kuptoni se cilat gjëra po ju shkaktojnë më shumë tension dhe të krijoni një plan konkret për t’i përballuar.
4. Përgatitni vetë mëngjesin
Kur jemi mësuar me ushqime të gatshme dhe zgjidhje të shpejta, edhe mëngjesi shpesh bëhet diçka që duhet “mbaruar” sa më shpejt.
Përgatitja e një vakti të thjeshtë në shtëpi ju detyron të ngadalësoni ritmin. Gatimi, zgjedhja e përbërësve dhe ulja për të ngrënë mund të krijojnë një ndjesi më të qëndrueshme në fillim të ditës, në vend që të dilni nga shtëpia me nxitim dhe të hani diçka rrugës.
5. Rregulloni shtratin
Rregullimi i shtratit është një nga ato zakone të vogla që mund të duken të parëndësishme, por i japin mëngjesit një pikënisje të qartë.
Të sistemoni çarçafët, të rregulloni jastëkët dhe të lini dhomën në rregull krijon ndjesinë se keni përfunduar diçka që në fillim të ditës. Edhe nëse pjesa tjetër e ditës nuk shkon sipas planit, në fund të saj do të ktheheni në një shtrat të rregulluar.
6. Këndoni ndërsa bëheni gati
Në vend që të ndizni menjëherë muzikën nga telefoni, provoni të këndoni vetë ndërsa visheni dhe përgatiteni për ditën.
Kjo mund t’ju ndihmojë të përqendroheni tek trupi dhe te momenti që po jetoni, në vend që mendja të rendë menjëherë te detyrat dhe shqetësimet e ditës. Disa kërkime sugjerojnë gjithashtu se këndimi mund të ndikojë në rregullimin e sistemit nervor.
7. Zgjohuni me dritën natyrale
Kur është e mundur, sidomos gjatë fundjavave ose ditëve të pushimit, lëreni dritën natyrale të përcaktojë ritmin e zgjimit.
Ekspozimi ndaj dritës së diellit lidhet me humor më të mirë dhe nivele më të ulëta stresi. Të zgjoheni gradualisht, në vend që të hidheni nga gjumi prej një alarmi të fortë, mund t’i japë trupit një fillim më të qetë.
-
Pija befasuese që mund t’ju ndihmojë të shkoni më lehtë në tualet
25 Shtator, 11:04 -
Kylie Jenner rikthen një ngjyrë ikonike thonjsh për vjeshtën 2026
25 Shtator, 08:26 -
-
9 gjëra të cilave u japin rëndësi vetëm njerëzit vërtet të palumtur
24 Shtator, 12:27 -
-
-
3 trendet e çizmeve që po zëvendësojnë ato që veshëm pa pushim vjet
24 Shtator, 08:44






