School & Career

A kërkoni falje edhe kur s’keni pse? 8 fraza që *duhet* t’i ndryshoni në punë

a70d9f1284428a117bde334f03c1aa3c.jpg

“Më vjen keq që po ju shqetësoj”, “Shpresoj se nuk e kam gabim" apo “Mund të gabohem, por...” janë fraza që shumë gra i përdorin pothuajse automatikisht në vendin e punës. Shpesh, pa e kuptuar, kërkojnë falje përpara se të bëjnë një pyetje, të shprehin një ide apo të kërkojnë diçka.

Sigurisht, të kërkosh falje kur ke bërë një gabim nuk është problem. Por kur kërkimfalja bëhet një mënyrë e zakonshme për të hyrë në një bisedë, mund të krijojë përshtypjen se duhet të justifikosh kohën, praninë apo mendimin tënd.

Në vend që të komunikosh me siguri, e nis bisedën duke e zvogëluar atë që ke për të thënë. Ndryshimi nuk kërkon të bëhesh më e ashpër apo më e drejtpërdrejtë se ç’duhet. Mjafton të ndryshosh disa formulime.

Në vend të “Më fal që po të shqetësoj”...Mund të thuash: “Nuk është urgjente, por do të doja të të flisja për diçka.”

Kështu tregon se e respekton kohën e personit tjetër, pa e paraqitur komunikimin tënd si një bezdi.

Në vend të “Është në rregull nëse nuk mundesh”...Provo: “E vlerësoj gatishmërinë tënde për të ndihmuar.”

ZODIAC_WORK_SUMMERMAIN-768x432.webp

Nuk ke pse të parashikosh që personi tjetër nuk do të mundet të të ndihmojë apo të minimizosh rëndësinë e kërkesës. Një “faleminderit” është i mjaftueshëm.

Në vend të “A ka kuptim kjo që po them?”...Pyet: “A ka diçka që duhet ta sqaroj më tej?”

Formulimi i dytë nuk e vendos në dyshim idenë tënde. Përkundrazi, tregon se je e hapur për sqarime dhe diskutim, pa kërkuar paraprakisht miratimin e të tjerëve.

Në vend të “Mund të gabohem, por...” Thuaj: “Mendoj se po, por ka edhe një këndvështrim tjetër...”

Të pranosh se mund të ekzistojnë mendime të ndryshme nuk do të thotë se duhet ta zhvlerësosh mendimin tënd që në fillim.

Në vend të “Më fal, po flas pa lidhje”...Thuaj: “Jam vërtet e apasionuar pas kësaj teme.”

Entuziazmi nuk është diçka për të cilën duhet të kërkosh falje. Nëse një çështje të intereson, mund ta tregosh këtë pa e justifikuar veten.

Në vend të “Kjo mund të tingëllojë si një pyetje idiote”...Pyet: “A e kemi menduar se si mund të ndodhë kjo?”

Screenshot-2026-05-05-at-5.19.03-PM.png

Nuk ka nevojë ta quash pyetjen tënde “idiote” përpara se ta bësh. Një pyetje mund të hapë një perspektivë të re ose të nxjerrë në pah diçka që të tjerët nuk e kanë marrë në konsideratë.

Në vend të “Shpresoj se nuk e kam gabim”... Mund të mos thuash asgjë.

Nëse e ke menduar një veprim, e ke bërë pjesën tënde dhe beson se është zgjedhja e duhur, nuk ke pse të kërkosh paraprakisht konfirmim se ajo që po bën është e pranueshme.

Në vend të “Nuk dua të të marrshumë kohë”...Thuaj: “Dua të të them diçka, do të duhen vetëm 20 sekonda.”

Ky formulim tregon se e respekton kohën e personit tjetër, por njëkohësisht hyn drejtpërdrejt në temë, pa kërkuar falje që i ke kërkuar vëmendjen.

Fundja, të mos kërkosh falje vazhdimisht nuk do të thotë të bëhesh e ftohtë, arrogante apo agresive. Do të thotë të kuptosh se mirësjellja dhe vetëbesimi mund të ekzistojnë njëkohësisht.

Prandaj, herën tjetër që je gati të thuash “më fal që po të shqetësoj”, “Mund të gabohem” ose “Shpresoj se kjo është në rregull”, ndalo për një sekondë.

Pyet veten: A kam vërtet për çfarë të kërkoj falje, apo thjesht jam mësuar të kërkoj falje para se të flas?

Ndoshta ndryshimi fillon pikërisht aty.