
Nëse po pyet veten çfarë ia vlen të shohësh tani në Netflix, përgjigjja mund të jetë më e thjeshtë nga sa mendon: filmi për të cilin po flasin të gjithë.
Në krye të listës me filmat më të shikuar të momentit në Netflix qëndron "Apex".
Me protagoniste Charlize Theron, filmi thriller me regji të Baltasar Kormákur, ndjek historinë e Sashës, një gruaje që niset për një udhëtim të vetëm në natyrën e egër australiane, një udhëtim që nga terapeutik kthehet në kërcënim për jetën. Në anën tjetër është Taron Egerton, në rolin e një ndjekësi të rrezikshëm që e sheh si pre.

Me mbi 38 milionë shikime globale dhe disa ditë rresht në vendin e parë, “Apex” është pikërisht ai filmi që të mban në tension nga fillimi në fund.
Filmi ka momente tensioni dhe adrenalina nuk mungon. Megjithatë, përvoja mund të bëhet pak e rëndë dhe e pakëndshme. Kritikët bien dakord për një gjë: Charlize Theron ka aftësinë të zbusë edhe momentet kur filmi nuk e ndihmon veten. Ndoshta sepse nuk po “luan” thjesht rolin. Aktorja është stërvitur me atletë profesionistë për t’i bërë skenat sa më reale, dhe kjo ndihet.
Sasha prezantohet si një grua që nuk ka nevojë të shpëtohet. Që në skenat e para, ajo ngjitet në një shkëmb të vështirë në Norvegji, duke treguar forcë fizike dhe vendosmëri ekstreme.

As një grup burrash të vrazhdë që e shohin me ngulm nuk arrin ta lëkundë. Ajo nuk kërkon mbrojtje dhe nuk sillet si viktimë. Por filmi e çon pikërisht aty ku e presim: në një lojë të rrezikshme ndjekjeje, ku ajo bëhet pre.
Pjesa tjetër e “Apex” është një përzierje mes thriller-it të mbijetesës dhe lojës klasike gjahtar-pre. Taron Egerton luan Ben-in, një burrë me probleme mendore dhe mizogjin, i cili e ndjek Sasha-n në mënyrë obsesive.
Pyetja që kemi nuk është nëse Sasha do mbijetojë, por sa e vështirë do jetë për ta parë deri në fund.