Ariana Grande do të tërhiqet për një periudhë nga jeta publike sapo të përfundojë turneu i saj "Eternal Sunshine" më 1 shtator në Londër. Sipas përfaqësuesit të këngëtares, vendimi vjen pas një periudhe të gjatë ekspozimi dhe vëmendjeje të vazhdueshme ndaj shëndetit dhe pamjes së saj fizike.
"Ajo mezi pret ta mbyllë turneun me sukses, e lumtur dhe në gjendje të mirë shëndetësore, e më pas të marrë një pushim të merituar nga angazhimet dhe daljet publike, të cilat kanë sjellë një vëmendje dhe gjykim të pandërprerë ndaj saj. Ky turne ka qenë një përvojë e bukur. Ajo i do fansat dhe ka shijuar çdo moment," tha përfaqësuesi i saj.

Një burim pranë artistes shtoi se koncertet e Grande-s janë fizikisht shumë të lodhshme.
"Shfaqja e saj kërkon shumë energji dhe përgatitje fizike. Megjithatë, Ariana performon çdo mbrëmje në nivel shumë të lartë dhe në mënyrë të shëndetshme."
Vitet e fundit, Ariana Grande është përballur vazhdimisht me komente për peshën dhe pamjen e saj. Diskutimet u shtuan edhe më shumë pas publikimit të videoklipit të këngës së saj më të re, "Petal", pjesë e albumit me të njëjtin titull.

Artistja ka reaguar edhe më parë ndaj komenteve për trupin e saj. Në këngën "Yes, And?", të albumit "Eternal Sunshine", ajo këndon:
"Mos komentoni trupin tim. Punët tuaja janë tuajat, të miat janë të miat."
Burimi pranë saj thotë se albumi i ri nuk flet për një histori dashurie apo një ndarje, siç kanë aluduar shumë njerëz.
"Ky album është një deklaratë force. Flet për marrëdhënien e ndërlikuar mes Ariana-s dhe publikut, si edhe për ndikimin e komenteve toksike që ajo ka përjetuar."

Ky ishte rikthimi i Ariana-s në skenë pas disa vitesh përqendrimi te projektet kinematografike dhe muzikore, mes tyre edhe roli i Glinda-s në filmat "Wicked".

Pas pushimit, Ariana Grande do të rikthehet në ekranin e madh me komedinë "Focker-in-Law", vazhdimi i serisë së njohur "Meet the Parents", ku luajnë edhe Ben Stiller dhe Robert De Niro. Filmi pritet të dalë në kinema më 25 nëntor.



