
Influencuesi i ekstremit të djathtë Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan Tate, janë arrestuar në Miami të SHBA-së, pasi autoritetet britanike ngritën akuza të reja të rënda ndaj tyre. Sipas raportimeve, Britania e Madhe pritet të kërkojë ekstradimin e dy vëllezërve për t'u përballur me drejtësinë.
Prokuroria në Mbretërinë e Bashkuar ka miratuar ngritjen e akuzave të reja, që përfshijnë përdhunim, sulm seksual, trafikim qeniesh njerëzore, dhunë fizike dhe vepra penale të lidhura me pornografinë. Akuzat lidhen me katër viktima të tjera të dyshuara dhe i referohen ngjarjeve që dyshohet se kanë ndodhur mes viteve 2010 dhe 2017.
Prokurorët britanikë do të kërkojnë ekstradimin e Andrew dhe Tristan Tate jo vetëm për këto akuza të reja, por edhe për 21 akuzat ekzistuese që rëndojnë ndaj tyre.

Andrew Tate, 39 vjeç, përballet në total me 42 akuza. Mes tyre përfshihen shtatë akuza të tjera për përdhunim, tre për organizim ose lehtësim të trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual, tre për sulm që ka shkaktuar dëmtime trupore, si edhe 19 akuza që lidhen me materiale të papërshtatshme me të mitur dhe pornografi ekstreme.
Ndërkohë, Tristan Tate, 38 vjeç, përballet me 17 akuza, përfshirë një akuzë për sulm seksual, dy për përdhunim dhe tre për organizim ose lehtësim të trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual.
Sipas CNN, dy vëllezërit pritet të dalin para një gjykate federale në Miami gjatë ditëve në vijim.
Andrew dhe Tristan Tate kanë qenë edhe më herët në qendër të hetimeve në Rumani, ku u arrestuan dhe u përballën me akuza të shumta që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin e organizuar.



