Lërini nënat dhe baballarët që të shijojnë telenovelat turke e indiane me titra shqip, por ato çfarë ofrojnë televizionet kryesore shqiptare për të thithur shikueshmëri, nuk duhet të jenë detyrimisht ato që duhet të shihni ju. Online apo në videotekë ka tanimë shumë mundësi për të parë produksione fantastike, skenarë të jashtëzakonshëm që kanë fituar me dhjetëra çmime “Golden Globes” apo “Emmy”, me aktorë të kalibrit Oscar.
‘Anabel.al’ ju sugjeron disa seriale të famshme dhe ju garanton që kur t’i shihni, do të forconi apo do të ndryshoni pikëpamjen tuaj për politikën, rendin botëror dhe marrëdhëniet intime njerëzore.
Disa prej këtyre serialeve janë transmetuar përkatësisht nga Digitalb dhe Top Channel, por në rast se i keni humbur, mund t’i gjeni në aplikacionin Netflix (tashmë edhe në Shqipëri), ose online në forma të tjera (Por ne nuk thamë gjë…).
“The Good Wife” - Seriali që merret me bashkëshorten dhe jo politikanin e përfshirë në skandal.
“The good wife” (Gruaja e mirë) është një serial dramatik politik dhe ligjor, i cili nisi në 2009-ën dhe u mbyll në vitin 2016. Në qendër të serialit është Alicia Florrik (Julianna Marguilies), gruaja e prokurorit të zonës së Cook County, e cila i rikthehet karrierës së saj si juriste, pas një sërë skandalesh korrupsioni dhe seksi që përfshinë bashkëshortin. Krijuesit e këtij seriali, Michelle dhe Robert King u frymëzuan nga skandalet seksuale të Bill Clinton-it apo të senatorit të Karolinës së Veriut, John Edwards. Për skenaristët, imazhi i një bashkëshorteje që qëndron e heshtur pranë të shoqit, ndërsa ai pranon publikisht gabimet e tij, ishte një klishe. Ata u intriguan shumë edhe nga fakti që shumica e këtyre grave ishin vetë juriste, të cilat e kishin pezulluar karrierën e tyre për hir të ambicieve profesionale të bashkëshortëve. “The Good Wife” ka fituar shumë çmime prestigjioze, duke përfshirë 5 çmime “Emmy” dhe një çmim nga Shoqata e Kritikëve të Televizionit.
“Breaking Bad” - Seriali që ka thyer rekordin Guiness.
“Breaking Bad” është një serial dramatik, i krijuar nga Vince Gilligan. Seriali, i nisur në 2008-ën dhe i përfunduar në 2013-ën, rrëfen historinë e një mësuesi kimie në gjimnaz, Walter White (Bryan Cranston), i cili u diagnostikua me kancer në mushkëri. Bashkë me një ish-nxënës, ai nis një jetë krimi, duke prodhuar dhe duke shitur metamfetaminë të kristalizuar (lloj droge, ndryshe njihet si “crystal meth”), në mënyrë që t’i siguronte familjes së tij të ardhura pas vdekjes. Walter është i martuar dhe ka dy fëmijë.
“Breaking Bad” është konsideruar si një nga serialet më të jashtëzakonshme të të gjitha kohërave. Finalja e serialit ishte një nga ato me shikueshmërinë më të lartë të para ndonjëherë. “Breaking Bad” ka fituar 16 çmime “Emmy”, 8 çmime “Satellite”, dy çmime “Golden Globes”, dy çmime “Peabody”, 2 çmime “Critic’s choice” dhe katër çmime nga Kritikët e Televizionit. Në vitin 2013, “Breaking Bad” hyri në rekordet “Guinness” si seriali më i vlerësuar nga kritika i të gjitha kohërave.
“Games of Thrones” – Nëse nuk e ke parë, nuk e dimë çfarë ke bërë deri tani.
Është një serial fantazi, i krijuar nga David Benioff dhe D.B. Weiss, frymëzuar nga novelat seri “A song of Ice and Fire “ nga George R.R. Martin. Seriali nisi në 2011-ën dhe sezoni i tetë i tij pritet të përfundojë në vitin 2018.
Ngjarjet e “Games of Thrones” përqëndrohen në dy kontinentet fiktive Westeros dhe Essos. Seriali ka disa linja historie dhe një kast shumë të madh personazhesh.
Linja e parë e historisë përfshin një konflikt shekullor midis pretenduesve për pasardhës të Fronit të Hekurt të 7 Mbretërive.
Linja e dytë e historisë përqendrohet në përpjekjet e pinjollit të një dinastie të përzënë, për të rimarrë fronin; linja e tretë rrëfen kërcënimin e një dimri të ftohtë dhe të krijesave të frikshme kundrejt njerëzve të fortë të veriut.
“Games of Thrones” është tashmë një serial ikonik me miliona fansa në të gjithë botën. Seriali është vlerësuar nga kritika, sidomos për aktrimin, kompleksitetin e karaktereve, skenarin dhe produksionin, edhe pse shpesh është kritikuar për dhunën (duke përfshirë edhe atë seksuale) dhe lakuriqësinë. “Games of Thrones” ka marrë shumë çmime si: tre çmime “Hugo”, një çmim “Peabody”, dy çmime “Emmy”, një çmim “Golden Globes” etj.
"Mad Men" – La Crème de la Crème e serialeve
“Mad Men” është një serial amerikan që i zhvillon ngjarjet në vitet 60-të. I krijuar nga Matthew Weiner, ngjarjet e serialit zhvillohen në agjensinë e reklamave Sterling Cooper në New York. Historia bën fjalë për biznesin e këtyre agjensive, si edhe për jetët personale të karaktereve, në paralelizëm me ngjarjet sociale në Shtetet e Bashkuara, në vitet 60-të. Seriali nisi në vitin 2007 dhe u mbyll në vitin 2015. “Mad Men” ka marrë shumë vlerësime për skenarin, aktrimin dhe autencitetin në krijmtari. Ai është vlerësuar me 16 çmime “Emmy” dhe 5 çmime “Golden Globes” . Kritika e konsideron si një nga serialet më të mirë të të gjitha kohërave.
“Downton Abbey” – Ka një arsye përse të gjithë njerëzit inteligjentë e dashurojnë këtë serial.
Dowton Abbey është një serial historik anglez, i cili i zhvillon ngjarjet midis 1912 dhe 1925-ës. U transmetua për herë të parë në Britaninë e Madhe në 2010 dhe zgjati deri në vitin 2015. Ngjarjet zhvillohen në fshatin fiktiv të Yorkshire-t. “Downton Abbey” ndjek jetët e familjes aristokrate Crawley dhe të shërbëtorëve të kësaj familje, jetë që ndikohen edhe nga ngjarje të mëdha të kësaj periudhe. Në sezonin e parë, personazhet përjetojnë lajmin e kobshëm të mbytjes së Titanikut; në sezonin e dytë ata përjetojnë nisjen e Luftës së Parë Botërore, epideminë e gripit spanjoll dhe skandalin e Markonit; në sezonin e tretë personazhet përballen me luftën për pavarësi të irlandezëve dhe krijimin e Shtetit të Lirë Irlandez; në sezonin e katërt ndjekim së bashku me jetët e personazheve edhe zgjedhjet e përgjithshme të Britanisë të vitit 1923, Masakrën e Jallianwala Bagh dhe puçin e quajtur “Beer Hall”. Sezoni i fundit na prezanton me fuqizimin e klasës punëtore dhe zbehjen e pushtetit të aristrokracisë angleze.
Downton Abbey ka fituar çmime të panumërta, duke përfshirë një “Golden Globe”, një “Emmy” dhe ka hyrë në rekordin “Guinnes” si seriali më i vlerësuar në 2011-ën. “Downton Abbey” është seriali me shikueshmërinë më të lartë në ITV dhe PBS (Stacion britanik dhe amerikan) dhe është konsideruar si seriali dramatik britanik më i suksesshëm, që nga “Brideshed Revisited” i 1981-it. Në sezonin e tretë, “Downton Abbey” u kthye në një prej serialeve dramatike me shikueshmërinë më të lartë në botë.
“House of Cards” – Është e frikshme se si jeta e vërtetë në Uashington ka imituar këtë serial të jashtëzakonshëm
“House of Cards” është një serial dramatik politik amerikan krijuar nga Beau Willimon. I adoptuar nga mini-seriali britanik me të njëjtin emër, “House of Cards” ndjek jetën e një çifti amerikan me ambicie për të marrë zyrën më të rëndësishme në botë, atë të presidentit të Amerikës. Seriali nisi në vitin 2013, ndërsa sezoni i 5-të pritet të nisë në 30 maj të vitit 2017.
Ngjarjet zhvillohen në Uashingtonin e ditëve të sotme. Frank Underwood-it (Kevin Spacey), një kongresmen demokrat nga Karolina e Jugut, i hiqet padrejtësisht (sipas tij) mundësia për t’u bërë Sekretar Shteti dhe këtu nis plani i tij për të marrë zyrën ovale, duke u mbështetur edhe nga e shoqja, Claire Underwood (Robin Wright). Seritë përqendrohen në pragmatizmin e pashpirt, manipulimin dhe pushtetin. Shumë prej shprehjeve të çiftit kryesor, janë kthyer në citime që qarkullojnë në milionë faqe Facebook-u dhe Instagrami.
“House of Cards” ka marrë vlerësime të shumta, duke përfshirë 33 nominime për “Emmy”, 8 nominime “Golden Globes” dhe dy çmime “Golden Globes” për dy aktorët kryesorë. “House of Cards”, prodhim i Netflix, është i pari serial online që merr nominime të rëndësisshme “Emmy.”
“Scandal” – Deri ku mund të shkosh për të mbrojtur Amerikën dhe kokën tënde? Sa vdekje duhen?
“Scandal” është një serial politik me protagoniste Kerry Washington-in. Krijuar nga Shonda Rhimes, seriali nisi transmetimin në stacionin ABC në vitin 2012. Karakteri i Washington-it, Olivia Pope, bazohet në asistenten për shtypin të ish-presidentit George W.Bush, Judy Smith, e cila është edhe bashkë-producente ekzekutive.
Ngjarjet e serialit zhvillohen në Washington DC dhe përqendrohen në kompaninë për menaxhimin e krizave të Olivia Pope, “Olivia Pope & Associates”, stafit të saj, si edhe stafit të Shtëpisë së Bardhë, ngjarjeve politike që i rrethojnë dhe lidhjen dashurore midis Pope dhe Presidentit të SHBA-ve, Fitzgerald Grant III. “Scandal” është konsideruar si programi i vitit nga Instituti Amerikan i Filmit, ka marrë një çmim “Peabody” për Ekselencë në Televizion dhe është vlerësuar si një serial dramatik i jashtëzakonshëm nga “Imagen Awards”. Kerry Washington ka fituar një çmim “Image” për aktrimin e saj dhe është nominuar për çmimet : “Emmy”, “Golden Globes” dhe “SAG Award”.
“How to get away with murder” – Viola Davis ka një arsye përse është ngjitur kaq shpejt në majën e Hollivudit!
“How to get away with murder” (Si të dalësh e larë me një vrasje) është një serial dramatik amerikan, premiera e të cilit u transmetua në stacionin ABC në vitin 2014. Në qendër të serialit është aktorja e famshme hollivudiane Viola Davis. Davis interpreton në rolin e Annalise Keating, një pedagoge e famshme e juridikut në universitetin prestigjioz të Filadelfias, e cila bashkë me 5 nga studentët e saj, përfshihet në një situatë të ndërlikuar krimi. Për këtë rol, Viola Davis u vlerësua jashtë mase nga kritika. Ajo është aktorja e parë afro-amerikane që vlerësohet me çmimin “Emmy” dhe me çmimin “SAG.” Davis gjithashtu është nominuar për çmimin “Golden Globes”, “Critics’ Choice Awards” dhe çmimin e Kritikës së Shoqatës së Televizioneve. “How to get away with murder” u vlerësua si seriali i vitit nga Instituti Amerikan i Filmit”
“Suits” - A ka rëndësi shkolla apo disa lindin thjesht të mençur?
“Suits” është një serial amerikan me në qendër juristët. Premiera e serialit të krijuar nga Aaron Korsh ishte në vitin 2011. Ngjarjet e “Suits” zhvillohen në një studio fiktive juridike në Nju Jork. Personazhi kryesor, Mike Ross (Patrick J.Adams” është një djalë i talentuar që nuk arriti të përfundojë universitetin dhe që nis në mënyrë të fshehtë të punojë si asistent ligjor për avokatin e korporatave, Harvey Specter. Përgjatë gjithë serialit, Harvey dhe Mike, përpiqen të mbyllin marrëveshje dhe çështje ligjore, duke u munduar që të mbajnë të fshehtë historinë e Mike, i cili rrezikon burg, pasi vepron si avokat, pa mbaruar një shkollë të tillë dhe pa kaluar provimin e avokatëve “Bar Exam.”
“Suits” është nominuar me shumë çmime, që nga viti 2012 nga “TV Guide”, “People’s Choice Awards”, “Alma Awards”, “Imagen Foundation Awards” etj. Serialit iu rinovua kontrata në 2016-ën dhe sezoni i shtatë pritet të nisë në 2017-ën.
“Westworld” – Çfarë ndodh kur kupton se e gjithë jeta jote ka qënë një gënjeshtër?
“Westworld” është një serial thriller amerikan fanta-shkencë dhe Western, krijuar nga Jonathan Nolan dhe Lisa Joy për stacionin HBO. Seriali bazohet në një film të 1973-shit me të njëjtin titull. Sezoni i parë nisi në tetor të 2016-ës dhe u mbyll më 4 dhjetor të 2016-ës. Sezoni i dytë pritet të nisë në 2018-ën.
Ngjarjet zhvillohen në parkun e argëtimit teknologjik “Westworld”, një park i populluar nga androidë të cilët ndryshe njihen si “Mikpritës.” Vizitorët që paguajnë shtrenjtë për të hyrë në këtë park, njihen si “Miqtë” dhe ata mund të bëjnë ç’të duan brenda parkut, pa asnjë frikë se do të keqtrajtohen nga mikpritësit.
Seriali arriti një sukses të jashtëzakonshëm në premierë dhe u konsiderua si një prej serialeve me shikueshmërinë më të lartë në historinë e HBO-së. Tek “Westworld” interpretojnë aktorë me famë botërore si: Anthony Hopkins në rolin e Robert Ford (krijuesi i Westworld), Evan Rachel Wood (Mikëpritësja më e vjetër e parkut, që kupton se e gjithë jeta e saj ishte një gënjeshtër), Thandie Newton, e cila është një madamë prostitutash etj.
“Stranger Things” – Cila është esenca e një seriali të jashtëzakonshëm! Gjithçka!
“Stranger Things” (Gjëra më të çuditshme) është një serial horros dhe fanta-shkencë i krijuar nga vëllezërit Matt dhe Ross Duffer. Në sezonin e parë interpretojnë aktorë të njohur si: Winona Ryder, David Harbour etj. Seriali i zhvillon ngjarjet në qytezën fiktive të Hawkins, Indiana, në vitet 1980. Sezoni i parë përqendrohet në zhdukjen e një djali të vogël dhe shfaqjen e një vajze me aftësi psikokinetike (aftësi për të ndikuar në trupin e një personi, pa e prekur atë). Kjo vajzë ndihmon miqtë e saj të kërkojnë për shokun e humbur, ndërkohë që vëllai më i madh, nëna dhe shefi i policisë, vijojnë me kërkimet nga ana e tyre. “Stranger Things” nisi transmetimin në Netflix më 15 Korrik të vitit 2016 dhe menjëherë mori vlerësim nga kritika për karakteret, ritmin e filmit, atmosferën, aktrimin, muzikën, regjinë, montazhin dhe homazhin që ky serial u ka bërë filmave të 1980-ës. Sezoni i dytë me 9 episode do të nisë në Netflix në 2017.
“Empire” – As miliarda dollarë nuk mund të ta ndryshojnë dot të kaluarën brenda teje.
Një producent i famshëm hip-hopi duhet të zgjedhë një pasardhës nga 3 djemtë e tij, të cilët luftojnë për të fituar kontrollin e kompanisë së tij miliona dollarëshe, ndërsa nga ana tjetër, ish-gruaja përgatit skema për të rimarrë çfarë ajo mendon se i përket. “Empire” u krijua nga Lee Daniels dhe Danny Strong dhe debutoi në kanalin amerikan Fox në 2015-ën. Sezoni i katërt pritet të nisë në 2018-ën. Lucious Lyon (Terrence Howard) dikur merrej me drogë, por më pas krijoi Empire Entertainment, një shtëpi produksioni shumë të suksesshme. Edhe pse duket sikur gjërat shkojnë mirë, e kaluara nis ta përndjekë, pasi ai diagnostikohet me një sëmundje të rëndë. Jo vetëm djemtë luftojnë për të marrë karrigen e ekzekutivit të kompanisë, por në skenë shfaqet edhe ish gruaja, Cookie Lyon (Taraji P.Henson), e liruar nga burgu pas 17 vitesh.
“Narcos” – Escobar: Vrasës i pamëshirshëm dhe baba i dhembshur
“Narcos” është një serial krimesh amerikan, i krijuar nga Chris Brancato, Carlo Bernard dhe Doug Miro. Ngjarjet zhvillohen në Kolumbi dhe sezoni i parë rrëfen historinë e trafikantit legjendar të drogës, Pablo Escobar, i cili u bë miliarder duke prodhuar dhe shpërndarë kokainë. Ky sezon gjithashtu tregon marrëdhënien e Escobar-it me konkurrentët e tij, agjentët e anti-drogës amerikane dhe qeverinë. Sezoni i parë u transmetua në 2015-ën, sezoni i dytë nisi në Netflix në 2016-ën dhe tani kanë nisur xhirimet për sezonin e tretë dhe të katërt.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.