Era Istrefi nuk menaxhohet më nga Faton Shoshi.
Lajmin e konfirmoi kunati i saj Robert Berisha, i cili gjithashtu mohoi spekulimet se tani është ai menaxher i Erës, siç u përfol sot.
“Kontrata me Fatonin ka mbaruar, por unë nuk menaxhoj as veten, lëre më Erën”, u shpreh ai për “Arbëresh.info”.
Shoshi dhe Era përflitej të kishin një marrëdhënie përtej asaj profesionales. Edhe pse asnjëherë s’e pranuan me zë të lartë, të qenit vazhdimisht bashkë kudo, postimet bashkë dhe deklarata e Erës në një intervistë për radion “NRJ” franceze se ishte e dashuruar, la të kuptohej se nuk po përpiqeshin ta mohonin.
Shoshi ka qenë ndër njerëzit më të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt suksesit ndërkombëtar, duke e ndjekur hap pas hapi që nga përzgjedhja e këngës “Bonbon” e deri tek nënshkrimi i kontratës me shtëpinë diskografike Ultra Music, pjesë e Sony Music.
Kur Era nënshkroi me Ultra-n, ishte nën menaxhimin e kompanisë Nesër në Prishtinë, pjesë e së cilës ishte Faton Shoshi. Edhe pse këngët i punonte dhe i regjistronte në SHBA, koncertet dhe kontratat e Erës menaxhoheshin prej Shoshit, që ishte kudo me të.
Tani siç duket, kontrata ka mbaruar dhe nuk kanë ndërmend ta rinovojnë më. E ndërsa nuk dihet kush po e menaxhon Erën aktualisht, duket se ata mund t’i kenë ndarë rrugët në aspektin personal.