Tashmë, Inva Mula dhe Hetem Ramadani duken një çift i konsoliduar. Ata janë prindër të Ninës 5-vjeçare dhe ia dalin të kenë një jetë familjare, edhe pse zhvendosen vazhdimisht nga Sllovenia në Francë apo e kundërta.
Gjithashtu, sopranoja me famë botërore ka treguar se mban një marrëdhënie shumë të afërt me të birin, Antonin dhe po kështu, Antoni me motrën e tij të vogël. Po me bashkëshortin e Inva Mulës, Hetem Ramadani?
Antoni Çako foli publikisht për këtë në një intervistë për “Jo vetëm modë”, ku kujtoi se fillimisht, e pati të vështirë ta pranonte Hetemin si partneri i mamasë.
“Me Hetemin kemi marrëdhënie shumë të mirë. E respektoj shumë.”, u shpreh ai dhe shtoi: “Sigurisht, në fillim kur u lidh me mamin, isha 13 vjeç dhe nuk e pranoja, siç nuk e pranon çdo 13-vjeçar sepse është xheloz.”
Por me ardhjen në jetë të motrës së vogël, gjërat morën drejtim krejt tjetër.
“Por pastaj, kur lindi Nina, ndryshoi komplet gjendja. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë, me shumë respekt nga të dyja anët. Një burrë shumë i mençur, që më ka dhënë shumë. Bëjmë biseda filozofike shumë shpesh. Është burrë shumë i mirë.”
Ai tregoi edhe për marrëdhënien me Ninën e vogël, që gjithashtu qenkësh një xheloze e madhe. Marie-në, të dashurin e vëllait, s’e paska fort me qejf!
“Ka një marrëdhënie siç mund të ketë një 22-vjeçar dhe një 5-vjeçare. Zihemi, është shumë xheloze, sidomos ndaj Marie-së. Por është shumë e mirë, e dua shumë. Mezi po pres të rritet, që të kemi një marrëdhënie pak më të afërt. Edhe takohemi shumë pak.”