Rikandidimi i Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës nuk është tërësisht i sigurt, por as krejt i paparashikueshëm. Rama ka thënë se “është çështje që i takon strukturave të Partisë”. Ndërsa Veliaj tha se ai dhe Rama janë si “mishi me thoin” dhe ka shumë pak mundësi të mos rikandidohet.
Sidoqoftë, nga ana tjetër, nga demokratët, janë përfolur disa emra, por asnjë me më shumë prevalencë se tjetri. Jorida Tabaku, deputete e Tiranës, u pyet për çështjen në fjalë e ftuar sot në mëngjes në Wake Up në Top Channel.
Tabaku tha se është shumë herët për të folur për kandidimin e saj. Ajo nuk i është futur politikës si sprint, por si maratonë. “Do të jem këtu gjatë.” Gjithashtu, për Tabakun, posti i kryetarit të Bashkisë është mbyllje karriere.
Përgjigjja e pyetjes në titull? Ndoshta.
Emra të tjerë na Partia Demokratike që përfliten për kandidim në zgjedhjet vendore të 2019-s janë Gerti Bogdani, Jamarbër Malltezi dhe Besart Kadia.