TV Mania

Edi Manushi lë ‘Procesin Sportiv’ dhe merr Fjoralba Ponarin në një tjetër projekt

17 Korrik 2018

Edi Manushi lë ‘Procesin Sportiv’ dhe merr Fjoralba Ponarin

Puntata e fundit e ‘Top Arena’ në Top Channel sinjalizoi dhe fundin e diçkaje tjetër: moderimit të Edi Manushit në ‘Procesin Sportiv’.

Në një intervistë nga Fjoralba Ponari, bashkëmoderatorja e tij në ‘Top Arena’, Manushi tha se “kam përshtypjen se ky është takimi im i fundit me ‘Procesin’. Duhet gjak i ri dhe energji të reja. Sporti ka nevojë për të tjera gjëra.” 

Pas dhjetë vitesh, frerët e ‘Procesit Sportiv’ do të kalojnë në duart e dikujt tjetër.

Sidoqoftë, Manushi s’ka ndërmend të largohet nga Top Channel a ta lërë Fjoralbën pas. “Ty do të të marr me vete,” i thotë ai në fund të intervistës. Sipas Dritare.net, do ta marrë me vete të dielave, në një emision që s’është bërë ende publik në asnjë lloj aspekti.

Edhe për Ponarin ky ndryshim do të jetë i volitshëm. Siç intervistoi ajo Manushin, e intervistoi Manushi atë dhe në një moment tha se “ky nuk është terreni më i mirë për mua, por për sa kohë shanset janë të barabarta, mund ta provojmë veten.” Ndoshta në një emision të profilizuar gjëkundi tjetër do të gjejë më mirë veten.