Paraditja e djeshme do të ishte fatale për reperin Mac Miller i cili siç dyshohet deri më tani, ndërroi jetë në moshën 26- vjeçare nga overdoza. Sapo lajmi u bë publik nga “TMZ”, siç gjithmonë ndodh, njerëzit u adresuan në llogaritë e ish të dashurës së tij, Ariana Grande- s.
Përpos ngushëllimeve, të pafundme qenë komentet në Instagram dhe Twitter, të cilat fajësonin këngëtaren për fundin tragjik të të riut.
“Ti e ke fajin. Ti e vrare.” qe gjithë esenca e komenteve negative.
Ndonëse ende nuk ka reaguar për vdekjen e ish- it të saj, Ariana është detyruar të bllokojë komentet në Instagram.
Pas dy vitesh bashkë, dyshja i dha fund lidhjes në maj duke shokuar mbarë fansat. Asokohe Ariana i dedikoi një postim Miller- it:
“E respektoj dhe e adhuroj atë pafund dhe jam mirënjohëse që e kam në jetën time në çfarëdolloj forme, pa u penduar për rrjedhën që mori marrëdhënia jonë apo për atë që universi ka rezervuar për ne.” duke e cilësuar gjithashtu si “një nga miqtë e saj më të mirë dhe personin e preferuar në planet.”
Fill pas ndarjes, brenda 1 muaji, Ariana do të lidhej me Pet Davidson. E gjitha kjo histori mendohet të jetë bërë shkak i gjendjes dëshpëruese në të cilën i ndjeri Miller ra pre.
Në fakt varësia e reperit ndaj substancave narkotike ka qenë edhe më parë e njohur për publikun, madje besohet se për këtë arsye ai dhe Ariana u ndanë. Ndërkohë, fansat e kësaj të fundit janë përpjekur t’i dalin në mbrojtje:
“Shoh që po fajësoni Ariana- n për vdekjen e të ndjerit Miller. T’ju vijë trup! Në vend që të drejtoni gishtin sa te njëri te tjetri, përpiquni të merreni me fenomenin dhe problemin kryesor. Edhe ajo sot po vajton! U prehtë në paqe!”