Shqipëria

Greg Rama, djali i kryeministrit Rama, prezanton ekspozitën e parë

13 Shtator 2018

Greg Rama, djali i kryeministrit Rama, prezanton ekspozitën e parë
Photo courtesy of @amoshuta, Instagram

Djali i madh i kryeministrit Rama, Greg Rama, prezanton para publikut vendas ekspozitën e parë, të titulluar “Fidem”. Mund ta shihni nga afër në Galerinë “Fab”, nga data 12 shtator deri më 30 shtator.

Ekspozita personale e kuruar nga pedagogu i Ramës, Vladimir Myrtezaj, konsiston në një instalacion të vetëm i cili shtrihet në tre salla. Shigjeta në dukje të pafundme qëndrojnë pezull në ajër, disa depërtojnë murin e bardhë, kundrejt sfondit të bardhë dhe dritës së shkëlqyeshme. Shigjetat drejtojnë drejt një sfere gjigande, po të bardhë, të paprekur nga asnjë prej tyre.

“I hoqëm gravitetin atmosferës. Duke i hequr gravitetin dhe duke bërë një ndriçim krejtësisht ndryshe dhe të papritur, i dhamë energji disa elementëve elementarë, me të cilën autori krijon një ide të caktuar që e lë abstrakte. Kjo ideja e sulmit, ose ideja e energjisë,” tha Vladimir Myrtezaj për Top Channel.

Greg Rama nuk i qëndroi larg kamerës dhe nuk dha asnjë koment, madje edhe natën e hapjes së ekspozitës ftoi vetëm miq të ngushtë.