Për herë të parë, një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë lufës së Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, rrëfeu publikisht tmerrin e përjetuar kur ishte vetëm 16 vjeçe. Krasniqi-Goodman jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është lumturisht e martuar prej vitesh është nënë e dy vajzave, 17 dhe 11 vjeçe.
Në një intervistë për RTK, Krasniqi-Goodman tregoi se si dy serbë e përdhunuan kur ishte 16 vjeçe. Ngjarja ndodhi në vitin 1999, në fshatin Babimovc të Vushtrisë. Një prej serbëve që sulmoi Krasniqi-Goodman ishte polic i regjimit të Slobodan Milosevic, ndërsa tjetri, civil.
“Më 14 prill të vitit 1999, isha në oborr dhe hyra brenda t’i thoja nënës të hapte derën. Nuk e dinim nëse erdhën të na vrisnin apo të na bastisnin. Ai [oficeri serb] pyeti ku e kemi babain dhe vëllain. Nëna i tha që janë në Gjermani. Ai tha ‘jo, nuk janë në Gjermani, kanë shkuar në luftë’ dhe hyri brenda e më mori mua,” tregon Krasniqi-Goodman. “Më tha se do të shkojmë në polici për të dhënë deklaratë. Nuk doja të shkoja, por më kapi dhe më futi në makinë.”
Krasniqi-Goodman e kuptoi se nuk po shkonte në komisariat kur makina mori kthesën e gabuar. Ndaluan në Babimovc, një fshat të populluar me serb, “Në atë moment thjesht doja të vdisja me një plumb, dhe asgjë tjetër. Doja të më vrisnin,” thotë ajo.
Më pas, sulmuesi e mori sërish përdhuni Vasfijen asokohe 16-vjeçare, e nxorri nga Babimovci dhe e dërgoi në një shtëpi dykatëshe të pabanuar.
“Më detyroi të dilja nga makina. Më gjuante me kallama misri. Nisa të qaja, të ulërisja, të bërtisja. Më detyroi të hyja prap në makinë dhe aty më ndodhi ajo që s’e merr dot ndërmend. Dorën e majtë e kishte të lidhur dhe thoshte ‘do të paguash ç’ka bërë babai yt dhe vëllai jot’. Doja të më vriste, por jo, sepse 'kështu vuan më shumë,'” tregon mes lotësh Krasniqi-Goodman.
Tmerri nuk mori fund me kaq. Brenda pak orësh, Vasfija 16-vjeçare u dhunua nga një tjetër burrë. “Nuk ishte me uniformë, kishte rroba civile. Më çoi në një shtëpi tjetër edhe ai bëri të njëjtën punë.”
Në shtëpi e dërgoi i njëjti njeri që e mori. “Mos kallëzo ku ishe e ç’ndodhi. Thuaji familjes që ishe në komisariat duke dhënë deklaratë. Në të kundërt, vij të marr prapë,” i tha oficeri Vasfijes 29 vite më parë. Ajo s’i tregoi askujt ç’ndodhi, por mendon se të gjithë e kuptuan që në momentin që e panë në fytyrë.
Pengmarrësi dhe përdhunuesit e Vasfijes u shpallën të pafajshëm fillimisht nga një gjykatë në Mitrovicë. Më pas, në maj të 2014-s ,në apel, u dënuan me përkatësisht 10 dhe 12 vite heqje lirie. “Përveç ditëve kur linda vajzat, ajo ishte dita më e lumtur e jetës sime,” tha Vasfija për The Guardian pak muaj më parë.
Krasniqi-Goodman është kthyer në një ambasadore e të mbijetuarve të luftrave të ngjashme. Në korrik foli me gra nga Iraku dhe Republika Demokratike e Kongos në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Udhëtoi drejt Koresë së Jugut për të folur me gra që u detyruan të prostituoheshin në bordello ushtarake gjatë luftës së dytë botërore. Vasfije Krasniqi-Goodman synon të inkurajojë viktimat e dhunës seksuale dhe prandaj e ndau me të tjerët historinë e saj. Intervistën e plotë e gjeni më poshtë.