Permes një statusi në profilin e tij në Facebook, zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për plagjiaturë në punimin e doktoraturës.
“Gjatë 2 javëve të fundit jam vënë në shënjestër nga politika e baltës dhe besoj se në radhë të parë më takon të vë interesat e kabinetit qeveritar mbi interesin tim personal. Unë i jam thellësisht mirënjohës Kryeministrit për mbështetjen e Tij të pakushtëzuar, të Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve po ashtu, si edhe të gjithë atyre që ma bënë kaq sfiduese, dinamike e të bukur pse jo, këtë fazë të karrierës sime.
Sot kam ofruar dorëheqjen si zëvendësministër dhe mbetem i përkushtuar në vijimin e përpjekjes sonë të përbashkët, si qytetarë e si veprimtarë të Partisë Socialiste”, shkruan ai ndër të tjera.
Ishte mjeku dhe studiuesi Taulant Muka ai që denoncoi rastin në fjalë: E gjeni dot ndryshimin? Duke kopjuar në Shqipëri mund të bëhesh profesor i asociuar, zv. Rektor dhe zv. Ministër i Arsimit. Dhe ky nuk eshte kopjimi i vetëm!"
Më pas ai vazhdoi me një tjetër plagjiaturë duke e cilësuar ish-zv.ministrin si autor të parë 100% copy paste.
Janë të njohura rastet kur zyrtarë të lartë akuzohen dhe japin dorëheqjen për plagjiaturë. Për shembull, në vitin 2011 ministri gjerman i Mbrojtjes, Guttenberg, u akuzua se kishte kopjuar tezën e doktoraturës në Universitetin Bayreuth. Dy vite më vonë, sërish një ministre gjermane dha dorëheqjen pas akuzave për plagjiaturë, Annette Schavan. Në fillim të shtatorit, ministri spanjoll i Shëndetësisë ishte një tjetër i akuzuar që dha dorëheqjen për materialet copy-paste.