"Çfarë shefi është ky more? Ky është kafshë. Nuk kam parë emision të tillë, me të tillë monstër [në krye]. Sillet aq keq, shan, përdor fjalor banal, hedh ushqime, thyen pjata [...] Të mjerët kandidatë. Futja kokën në furrë kësaj bishe,” shkruan një komentues në një video të shkurtër nga “Hell’s Kitchen” në Instagram. Një numër i konsiderueshëm shikuesish mendojn se sjellja e shef Renato Mekollit është e ekzagjeruar, siç vihet re në seksionet e komenteve.
“Hell’s Kitchen” është formulë televizive e blerë dhe disa gjëra, si puna e personalitetit të shefit, duhet të qëndrojnë brenda kornizave. Në versionin amerikan, ku në krye është shef Gordon Ramsey, bie në sy ashpërsia e tij në llojet e ofendimeve që zgjedh për konkurrentët. Përveç aftësive në kuzhinë, Ramsey është i famshëm për sa bukur shan.
Në videon e mëposhtme të momenteve më të mira në “Hell’s Kitchen”, Ramsey u thotë konkurrentëve “je i padobishëm”, “shihe veten në pasqyrë mirë sepse je turp i Zotit”, dhe “hej dështak, më thuaj sa rozë është rosa”. Ramsey është gjatë gjithë kohës me nerva, sepse në të kundërt, ku do të ishte lezeti.
Renato Mekolli ka gjetur mënyrën e tij për të kanalizuar shefin e egër në brendi. Specialitete të “Hell’s Kitchen” në Shqipëri jane thyerjet e pjatave, hedhja e ushqimit në kosh dhe fraza të tipit “tall tr*pin ti tani”. Paralelizmi mes dy shefave është i qartë. Sërish, dhe në këtë rast mund të ngremë të njëjtën pyetje. Ku do të ishte lezeti nëse Mekolli do të isht shef i butë, mirëkuptues dhe dashamirës. Aq më pak që një ambient pune me tension, siç është kuzhina, nuk lë vënd për shumë durim.
Më parë në Top Channel transmetohej “MasterChef”, një tjetër kompeticion gatimi, ku shefat luanin rolin e jurisë. Në “MasterChef” tensioni ndërtohej mes konkurrentëve dhe kohës, e si rrjedhim s’kishte nevojë për dramaticitet. Ndërsa në “Hell’s Kitchen”, tensioni gjendet mes konkurrentëve, kohës, klientëve që presin për të ngrënë dhe shefit që është djalli vetë. Fundja, prandaj quhet “Hell’s Kitchen” (Kuzhina e Ferrit).