Siç ndodh zakonisht, Festivali i Këngës shoqërohet përherë me debate të shumta, duke nisur nga mënyra e organizimit të spektaklit, procesi i votimit e deri tek fituesi që thuhet se zakonisht parapërcaktohet.
“Doja shumë këtë vit një këngë optimiste, pozitiviste, që të jep kurajo e shpresë, larg epizmave e dramave ballkanase, sepse tashmë Europa ashtu na sheh, por ne ende nuk e shohim veten ashtu, fatkeqësisht. Ti ma solle atë këngë, mua dhe shumë femrave që njoh”, i shkroi dikush Soni Malajt në Instagram.
“Faleminderit shumë për mesazhin. Keqardhja e vetme shkon për bashkëpunëtorët e mi, të cilët insistuan fort që unë të pranoja ofertat e vendeve të tjera shumë të rëndësishme për t’i përfaqësuar në Eurosong, të cilët kërkonin një artiste që di të përballojë shumë mirë skenën në këndim dhe performancë skenike. Unë nuk i pranova, se kam një të keqe, jam idealiste për vendin tim, por mendoj që duhet të jem më shumë realiste. Të përqafoj fort dhe paç një vit fantastik.” – iu përgjigj Soni.
Kënga e saj “Më e fortë” – e cila flet për forcën e grave kundrejt çdo vështirësie – ishte një ndër pretendentet kryesore për të fituar çmimin e parë. Nëpër sondazhe online, Soni renditej herë në vendin e parë, e herë në vendin e dytë me një diferencë gati të papërfillshme nga vendi i parë.
Megjithatë në finale, kënga e saj u rendit në vendin e pestë.
“Ktheju tokës” e Jonida Maliqit – që trajton temën e emigrimit – fitoi vendin e parë me 228 pikë.