Çfarë është "Leaving Neverland"?
"Leaving Neverland" është një dokumentar që bazohet në intervistat e Wade Robson dhe James Safechuck, të cilët pohojnë se Michael Jackson ka abuzuar seksualisht me ta kur ishin fëmijë. Dokumentari është një bashkëprodhim i kanalit televiziv britanik Channel 4 dhe Home Box Office (HBO). Për herë të parë, u shfaq në Sundance Film Festival në 25 janar, 2019. Dan Reed është regjisori dhe producenti.

Kush është Wade Robson dhe James Safechuck?
Wade është një balerin dhe koreograf 36-vjeçar nga Australia. Në fëmijëri, ai u shfaq në këngën “Black or White”, “Jam” dhe “Heal the World”.

Në "Leaving Neverland" ai e përshkruan shtëpinë e Jackson si një kurth, ndërsa 41-vjeçari Safechuck shprehet se vite më parë, në Neverland, Michael organizoi një festë tipike si ceremoni martese dhe e detyroi vogëlushin të zotohej se ata “u lidhën përgjithmonë me njëri-tjetrin”. Të dy morën pjesë në një reklamë për Pepsi-n kur ishin fëmijë.

Ata ngritën një padi kundër këngëtarit në 2015-n duke kërkuar £1,2 miliard dëmshpërblim, por gjykata vendosi që “pasuria e këngëtarit nuk mund të mbante përgjegjësi për akuzat e tyre”.


Ç’kuptim ka Neverland?
Neverland Valley Ranch, që së fundmi quhet edhe Sycamore Valley Ranch, është shtëpia e Michael-it në Santa Barbara County, Kaliforni. U quajt Neverland pasi këngëtari u frymëzua në 1988-n nga ishulli i përrallës së Piter Panit (ishulli Kurrkund).
Si kanë reaguar fansat?
Fansa të shumtë të këngëtarit kanë nisur një fushtatë nën hashtag-un #StopLeavingNeverland dhe kërkojë që dokumentari të hiqet. Të shumtë kanë qenë prindërit të cilët kanë reaguar ashpër duke pyetur: “Kush është ai prind që do ta linte fëmijën vetëm me një të huaj, qoftë i famshëm ose jo?!
Po familjarët ç’thonë?
Familjarë dhe përfaqësues së këngëtarit të ndjerë i kanë mohuar akuzat.
A do të ndikojë kjo tek figura e Mbretit të Pop-it?
Njerëzit janë rritur me muzikën e Michael-it. Sigurisht që fakte të tilla janë shokuese, megjithëse ekspertët thonë se nisur nga fakti që Michael nuk është gjallë, pra nuk mund ta mbrojë veten, vështirë që të dhënat e personave që thonë se janë abuzuar të besohen nga të gjithë.
Si mund ta shohim?
Vetëm në HBO nëse jetoni në Amerikë ose keni IP amerikane (IP- term që përdoret në informatikë me kuptimin e një numri/adrese të kompjuterit të kyçur në rrjetin kompjuterik apo të internetit). Sigurisht që ka edhe disa mënyra të tjera (por ne nuk thamë gjë).
A do të transmetohet në Netflix?
Channel 4 ka të drejta ekskluzive në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk ka në plan që dokumentari të hidhet në Netflix. Të paktën jo për momentin.