Megi Pojani, e cila i “lagu këmbët” me rolet në aktrim gjatë sezonit të parë të “Hostel by Anabel” në rubrikën “E ke parasysh kur...”, këtë herë vjen në një tjetër dimension. Përpos rolit protagonist në serialin “Love Likes Tirana”, që ka zëvendësuar rubrikën e skeçeve në Hostel, siç mund ta keni lexuar, Megi është pjesë e kastit të aktorëve në filmin “Dy Gisht Mjaltë”, i cili transmetohet për herë të parë nesër për një rreth të ngushtë njerëzish dhe më 28 mars në të gjitha kinematë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sot, pak orë para premierës si ndihet ajo?
Eksperienca e parë në aktrim, në mos gaboj, ishin skeçet e “E ke parasysh kur...” në sezonin e parë të “Hostel by Anabel”. Pavarësisht se Hosteli shërbeu si një përvojë e vlefshme, ma merr mendja se filmi ka qenë një terren i panjohur për ty. Çfarë ishte ndryshe në fillim?
Duke qenë totalisht amatore në fushën e aktrimit dhe duke ditur se skeçet e "Hostel by Anabel" ishin përvoja ime e parë e këtij lloji, kur më erdhi ftesa për të qenë pjesë e filmit u surprizova dhe m’u bë qejfi. Për mua ishte vlerësim shumë i madh të isha pjesë e një projekti të tillë që pa për të pasur një sukses të padiskutueshëm, ku mbi të gjitha luajnë profesionistë. E mendova si mundësi për të mësuar më shumë dhe ashtu e shfrytëzova.
Nga gazetaria në televizion, pastaj aktore në “Love Likes Tirana” dhe “Dy Gisht Mjaltë”, duket qe je natyrë që përshtatesh shpejt, megjithëse xhirimet duhet të kenë pasur vështirësitë e veta. Më trego ndonjë moment të sikletshëm që mban mend.
Xhirimet nuk kanë qenë të vështira, të paktën jo për rolin tim. Unë kam një rol të vogël kam dalë në pak pjesë, por Ermali me Elvanën ishin shumë sportivë dhe ma kanë lehtësuar shumë eksperiencën time të parë në një film. I vetmi moment i vështirë për mua ka qenë kur kemi qenë në Vlorë për Hostelin dhe pasi mbaruam xhirimet e dasmës, jam kthyer në Tiranë në orën 06:30 të mëngjesit, kur në 07:00 kisha xhirimet e filmit. Isha e mpirë dhe më dridhej trupi nga pagjumësia. Ajo skenë është xhiruar dhe unë nuk e kam idenë si kam dalë. Sa emocionuese.
Si ishte të punoje me Elvana Gjatën dhe Ermal Mamaqin?
Di të them që momentet kur Elvana dhe Ermali flisnin seriozisht ishin shumë të rralla dhe kjo vlen edhe për stafin. Kemi xhiruar deri në të gdhirë. Ra shi në mes të verës dhe ishte i ftohtë dimri, të paktën kështu e kam fiksuar unë që isha e veshur me një gjë të hollë të vogël që s’mbulonte asgjë. Dhe ata vazhdonin të ruanin po të njëjtën energji sikur sapo kishin filluar xhirimet.
Nuk po të mbaj më gjatë se e di që ke xhirime për “Love Likes Tirana", prandaj shkurtimisht meqë nesër është premiera e "Dy Gisht Mjaltë", si ndihesh?
Nuk e kam parë filmin dhe si dikush që do të ketë gjithçka nën kontroll, por në të njëjtën kohë i del shpesh situata jashtë kontrollit, nuk ndihem shumë rehat me faktin që të gjithë do ta shohin bashkë me mua dhe unë s’do ta kem analizuar veten paraprakisht (qesh). Por është premiera ime e parë dhe sigurisht që jam shumë e emocionuar, siç jam për të gjithë gjërat e reja që ndodhin në jetën time.