Prej kohësh, modele dhe personazhe të njohur kanë folur haptazi për diversitetin në modë, duke kërkuar që të mos ketë paragjykime dhe të rrëzohen njëherë e mirë standardet e bukurisë të vendosura në të kaluarën. Në një farë mënyrë, duket se së fundmi, shtëpitë e modës dhe kompanitë e ndryshme, janë më të hapura ndaj punësimit të modeleve të kolme. Situata paraqitet e paqtë, por ja që në prapaskenë ndodh e kundërta.

Pasi u rendit e treta në “America’s Next Top Model”, modelja Khrystyana Kazakova u ndje me fat që do të punonte në një agjenci të nivelit të lartë. Por emocionet zgjatën shumë pak. Shumë shpejt, agjencia ia bëri të qartë se ajo nuk ishte “aq e madhe” sa duhej.
“Më thanë që nëse do të shtoja disa kilogramë, do të bëja më shumë para,” thotë ajo. Kështu, Kazakova ndryshoi rutinën e saj të stërvitjes duke zëvendësuar ushtrimet kardio me peshëngritje dhe squats, si edhe bëri pjesë të dietës ushqimet me yndyrë dhe proteina.
Brenda 2 muajve, ajo shtoi rreth 5 kilogramë, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. “Ata duan që të kemi bel të hollë,” thotë ajo. “Para se të më pushonin, më thanë se dukesha e fryrë.”

Teksa vihet re një qasje për t’u vlerësuar ndaj modeleve të kolme, nga Savage x Fenty për shembull, modelet thonë se në prapaskenë, presioni është i madh. Ato shtojnë se agjencitë janë në kërkim të modeleve që kanë bel të hollë, vithe, këmbë të mbushura, gjoks dhe shpatulla; një model që i referohet trupit të Kim Kardashian apo Jennifer Lopez.
“Duan që të kemi krahë të hollë, bel të bukur, ndërsa kofshë-vithe-gjoks mund t’i kemi në ç’masë të duam,” thotë 22-vjeçarja Allison Owens.

Chelsea Bonner, ish-modele dhe themeluese e Bella Menagement, thotë se qasja ndaj modeleve të kolme është sa pozitive nga njëra anë, aq edhe me standarde të dyfishta nga ana tjetër. “Është krijuar një ide që zor së ndryshohet. Lejohen modelet e kolme, për aq kohë sa kanë bel të hollë dhe nuk kanë celulit.”
Ajo shton se presioni është më i tmerrshëm te modelet që kanë një peshë të ndërmjetme, pasi ndryshojnë vazhdimisht peshë në varësi të agjencisë.

Modeleine Ours, e cila filloi të modelonte dy vite më parë, tregon se përvoja e saj nuk ka qenë aq e thjeshtë sa duket. “Njerëzit bëjnë shaka me modelet e kolme pasi duket sikur nuk kemi ndonjë punë të madhe ose nuk mbajmë fare dietë, por është e gjitha një keqkuptim i madh.”
Burimi: New York Post