Original

Stop me panikun! Qetësohuni pak dhe lexoni këtë!

Shkruar nga Dalina Buzi

28 Nëntor 2019

Stop me panikun! Qetësohuni pak dhe lexoni këtë!

Siç e keni vënë re dhe na e keni thënë, Anabel.al, facebooku i Revista Anabel dhe Instagrami @anabel_hostel kanë qënë që në minutat e para pas tërmetit në gatishmëri jo vetëm për të informuar, por edhe për të kontribuar duke ndarë informacione në ndihmë të familjeve të prekura. Gjatë kësaj kohe, ashtu si të gjithë, përfshirë edhe qeverinë, ne u bëmë pjesë dhe herë pas here viktimë i një kaosi, një kaosi që justifikohet me këtë tragjedi të papritur natyrore dhe me mungesën e organizimit që ne, që ne si popull e kemi karakteristikë.

Sot kanë kaluar dy ditë nga tërmeti i madh dhe unë mendoj që është koha të filtrojmë disa informacione, të pengojmë disa të tjera dhe të sqarojmë njerëzit, duke u bazuar nga mijëra komunikimet që kemi pasur cdo ditë me njerëz të thjeshtë, me njerëz të lënduar, me organizata ndihmash, me përfaqësues të qeverisë, por edhe nga vetë vizitat tona në zonat më të prekura në Thumanë, ish-Kënetë, Shijak, Manzë apo tek stadiumi në Durrës.

1. Ndihma ka po s’ka mendje.

E vodha këtë shprehje nga gazetarja e Anabel.al, Alberta Kamenica e cila kaloi dje gjithë ditën në Durrës. Ndihmat kanë qënë të jashtëzakonshme, solidarizimi na ka prekur të gjithëve dhe ndihma vazhdojnë të vijnë çdo moment nga Shqipëria dhe i gjithë Ballkani, por shpërndarja e tyre ka lënë për t’u dëshiruar. Nuk po merrem shumë me këtë pjesë se si dhe qysh apo të jap mend, pasi jam qytetare e këtij vendi dhe e di se si për një dokument deri përpara 1 viti duhej të bridhje në 5 vende të ndryshme, por dua të siguroj qytetarët që me aq sa kam parë, ka ndihma pa fund. Ka mjaftueshëm për të gjithë dhe për më shumë se një muaj. Shpërndarja pastaj është një problem tjetër edhe pse jam shumë pozitive që të gjithë do të ndihmohen. Jo sepse besoj tek shteti, por shtetit vetë në këtë shkallë tragjedie që mori përmasa ndërkombëtare, i intereson që të dalë mirë.

2. Të gjithë ju e keni një bashki apo mini-Bashki, mos e harroni këtë!

Njerëzit janë të hutuar dhe pyesin se ku të dorëzojnë ndihmat, kush do t’ua marrë, a janë të sigurta. Qytetarë, nuk keni faj që shpesh nuk i llogarisni institutcionet shtetërore të qyteteve tuaja, sepse nuk ja keni parë hajrin në probleme të tjera, por ato janë aty dhe e kanë për detyrim të organizohen. Pikë së pari duhet të drejtoheni në Bashkitë e qyteteve, sepse ato kanë përgjegjësi që në këtë situatë të jashtëzakonshme, të lidhen me shtabin e Emergjencës, ushtrinë e institucione të tjera shteteërore për të organizuar shpërndarjen e ndihmave. Në rast se Bashkia nuk ju përgjigjet, kërkoni ndihmën e televizioneve lokale ose të shkollave të mesme të qytetit sepse patjetër një prej tyre do të ketë një informacion, ose ka nisur një iniciativë për të mbledhur ndihma. Ose kontribuoni në të holla. Kryeministri Rama kërkoi që njerëzit të mos sillnin më rroba e batanije se ka mjaftueshëm, por të kontribuojnë monetarisht. Mund të kontribuoni në e-albania ose këtu.

3. Shumica e të lënduarve nuk rrinë në Instagram dhe Facebook të kërkojnë hotele.

Anabel.al përpiloi një listë të gjatë me të gjithë njerëzit që ofronin strehim, një listë që tashmë është printuar e shpërndarë tek të pastrehët dhe gjithashtu është bërë me qindra herë share online. E bëmë vetë si kontribut, duke uruar që një institucion shtetëror ta marrë të gatshme dhe të bëj organizimin për strehim. Një pjesë e mirë e të pastrehëve kanë gjetur strehimet e tyre, ka shumë familje që nuk duan të lëvizin larg zonës së tyre të banimit dhe kanë refuzuar ftesa jashtë qytetit apo në Kosovë. Ne madje kemi folur me disa familje, u kemi ofruar strehim dhe ata kanë kërkuar çadra. Bëhet fjalë për familje shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar, por nuk janë shkatërruar dhe ata duan të rrinë afër tyre. E thënë kjo, në rast se ju keni strehim, ju lutem ose na I dorëzoni ne meqënëse e nisëm këtë punën e përpilimit të listës dhe shpërndarjes, ose drejtohuni pranë organizatave që kanë logjistikën për t’u marrë me këtë punë si Fundjavë Ndryshe, organizata e drejtuar nga Elvis Naçi dhe të tjerë që kanë treguar seriozitet (jo vetëm në tragjedi) në kontributin ndaj nevojtarëve.

4. Ndihmat do të vidhen.

Hijena do të ketë gjithmonë në raste tragjedish të tilla. Pranë stadiumit të Durrësit, banorë të padëmtuar të pallateve përreth stadiumit prisnin tek autobuzët për të marrë ndihma. Në Thumanë, kur isha vetë, pashë një plak  me pulovër të grisur, rreth të 80-tave që bashkë me mbesën e tij kishin marrë shumë batanije dhe sipas komshinjve të tij, ishte hera e tretë që ai ngarkohej me batanije. Nuk është diçka e pazakontë që kjo botë të ketë edhe njerëz që përfitojnë nga fatkeqësitë, siç nuk është akoma më e pazakontë që disa të pasurohen (jo me batanije, por me të holla) në raste të tilla, por nuk është diçka për t’u tronditur. Solidarizimi tregoi se shumica dërrmuese është e mirë, se njerëzit janë të mirë dhe kjo duhet vlerësuar dhe kjo s’duhet harruar kurrë. Ju nuk keni pse të stepeni e të mos kontribuoni, pasi në radhë të parë, të bërit mirë është për ju. Të japësh na bën mirë të gjithëve dhe kjo ka rëndësi.

5. Ju lutem mos shpërndani më deklarata të rreme mbi tërmetin.

Inboksi i Anabel po kthehet në një komedi. “Më tha një durrsak që e ka fajin zona e Kuçedrës”, “Ka thënë një shkencëtar serb që e ka fajin programi kërkimor për Frekuencat e Larta Active Auroral (HAARP)

në Alaska se ata e kanë krijuar tërmetin”, “Një shoku im tha që janë edhe nja 100 veta të vdekur por i mbajnë sekret” “Pashë dritë jeshile në horizont. Ishte bombë, nuk ka qënë tërmet.” Nuk janë për t’u fajësuar njerëzit në kohë paniku, por duhet pak qetësi. Tërmetet ndodhin! Kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Ne jemi vend sizmik, nuk jemi shkretërira e Atakamës, ku papritur po ndeshemi me shiun dhe të fillojmë nga konspiracionet. Toka siç e thoshte një sizmiologe amerikane në një formë letrare në një shkrim tjetër të Anabel mbi tërmetet , do të çlirojë presionin e akumuluar dhe kështu krijohen tërmetet. Dhe pas tërmetit të fuqishëm ka tërmete të tjera më të vogla dhe do të ketë për disa muaj, sipas sizmiologëve. Nëse do të ishte zona e Kuçedrës fajtore, atëherë të gjitha tërmetet në këtë vend do të kishin epiqendrën në Adriatik afër Kepit të Rodonit, por nuk e kanë pasur . Nëse do të ishte HAARP, që tashmë nuk i përket ushtrisë amerikane por Universitetit të Alaskës, atëherë duhet të lindte pyetja “Përse ne?” Për HAARP është shkruar se ka manipuluar motin në zona lufte, ose në zona me thatësira të mëdha, ku ka sjellë shiun, por çfarë i interesonte agjensisë të testonte një tërmet në Shqipëri? Ju do të thoni “qindra miliona euro për qeverinë”, kurse unë them “Le ta lëmë tërmet” e të kujdesemi për të parandaluar dëme të tjera të ardhshme në shtëpitë tona.

6. Në tragjedi e rëndësishme është të jemi bashkë dhe të lehtësojmë procesin post-tërmetit, jo të merremi me vogëlsira.

Pasi u tronditëm e qamë viktimat, tashmë shumë njerëz (dhe vërtet janë shumë) po hiperbolizojnë situata nisur nga disa probleme aspak përfaqëesuese. Një blogere qante se kishte çuar pilaf tek një familje në çadër dhe ajo ja kishte hedhur se donte patatina. Një tjetër ankohej se Fundjavë Ndryshe nuk ishte sjellë mirë, kur kishte dorëzuar ndihma. Në një tjetër mesazh që na erdhi, një vajzë thoshte që policia po i trajton shumë keq njerëzit dhe u flet ashpër. Nuk po them që këto nuk janë të vërteta, por duhet të mirëkuptoni të gjitha palët e përfshirë në këtë situatë. Vërtet që të gjithë ne jemi të tronditur, por detyra e shumicës konsiston në mbledhjen e ndihmave (ose blerjen) dorëzimin dhe vajtjen në shtëpitë tona të padëmtuara në komfortin e ushqimit të ngrohtë, ajrit të kondicionuar dhe internetit. Tani mendoni për gjithë këta të pastrehë që nuk dinë ku e kanë kokën, që kanë parë vdekje me sy, që kanë humbur të gjithë objektet e shtrenjta e presin deri edhe të mbathura si ndihmë; mendoni për forca të policisë, ushtrisë, vullnetarë, gazetarë që janë 20 orë në vigjilencë e përballen me mijëra si ju çdo minutë. Nuk mund të presim që të gjithë të jenë të edukuar e të sjellshëm 24 orë; qetësia dhe durimi është virtyt, por në këtë lodhje të tejskajshme edhe më i duruari mund ta humbë toruan. Provoni të vendosni këmbët në këpucët e tyre dhe mirëkuptojini. Nuk është mirë që një rast i izoluar i një punojësi nevrik të bëhet përfaqësues për mijëra të tjerë që po punojnë nga mëngjesi deri në darkë për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve.

7. Silluni si qytetarë të këtij vendi dhe kërkoni llogari.

Të gjithë e dimë që dëmet mund të ishin më të lehta në rast se këto shtëpi nuk do të ishin ndërtuar pa kriter. Ndaj tani dy ditë pas tërmetit e më pas, lind pyetja: “Po shtëpitë dhe ambientet ku ne punojmë apo çojmë fëmijët?” Një vajzë na çoi video të një universiteti privat të njohur në Tiranë të dëmtuar dhe kërkonte që ne ta nxirrnim. I thashë: Ti paguan, keni kërkuar llogari tek drejtuesit? Jo, ma ktheu ajo. Një tjetër thoshte që banka ku punonte i kishte detyruar të punonin edhe pse ndërtesa kishte pasur shumë dëmtime. 

Shprehja e famshme shqiptare “hë se nuk na gjen gjë” rezultoi e dështuar. Ne na gjen dhe ne të gjithë e kemi për detyrë të sillemi për herë të parë si qytetarë e jo më si viktima të sistemeve. Nëse ju paguani për ashensorin çdo muaj, kërkoni bashkarisht si pallat një ri-kontroll të ashensorit pas tërmetit; nëse keni krisje në shtëpi, një inxhinier, një kontrollor teknik nga Bashkia, duhet t’ju vijë ta verifikojë nëse është krisje e rrezikshme apo thjesht sipërfaqësore. Nëse në punën apo shkollën tuaj e të fëmijëve ka dëme të mëdha, mos shkoni! Fotografoni dëmet dhe dërgojini një email dhe letër me firmë eprorit tuaj se refuzoni të punoni pa u siguruar me shkrim për sigurinë e ambientit. Eprori nuk mund t’ju heqë nga puna se ju kërkoni të jeni të sigurt pas një tragjedie ku vdiqën 40 vetë (dhe nuk është numri përfundimtar), përndryshe ai duhet të përgjigjet në gjykatë. E njëjta gjë edhe me shkollat. Le të humbasin fëmijët mësimin, por siç thotë një shprehje anglisht “Better safe than sorry”. Silluni si qytetarë: punonjësit e bashkisë e të qeverisë janë nëpunës e punojnë për ne. Mos e harroni këtë. Duke mirëkuptuar edhe logjistikën jo-perfekte të këtij vendi, ju mund t’a ndihmoni shtetin me informacione për çdo dëm.