Për herë të parë në historinë 21-vjeçare të saj, “Kënga Magjike” e këtij viti nuk do të jetë një festival, nuk do të jetë një garë, por një mision humanitar, një event bamirësie. Siç mund ta keni lexuar, të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të festivalit do të shkojnë për ndërtimin e shtëpisë së familjes Caci. Megjithatë duket se jo të gjithë artistët munden të performojnë. Besa Kokëdhima njoftoi në Instagram se do të tërhiqet nga gara e “Këngës Magjike”.
“Të dashur miq, me keqardhje ju njoftoj se në këtë kohë tragjedie, pikëllimi dhe paniku, e kam të pamundur të performoj në datën 5-7 dhjetor në ‘Kënga Magjike 2019’,” shkruan ajo. “Zemra ime është e ngarkuar me dëshpërim dhe vuajtje për ata që nuk janë më dhe nuk jam në gjendje të këndoj kur me bashkëkombësit e mi ka ndodhur kaq shumë; ndaj më duhet të tërhiqem zyrtarisht nga ‘Kënga Magjike 2019’.”
Në vijim shton: “Jam e bindur që ‘Kënga Magjike’ do të bëjë një punë të lavdërueshme për të kontribuar në mënyrën e saj për të ndihmuar të prekurit, unë do të jap në heshtje ndihmën dhe kontributin tim për të lehtësuar sadopak dhimbjen e tyre, dhe respektuar humbjet e pashlyeshme të tyre. Kërkoj ndjesë fansave të mi të cilët prisnin perofmimin tim dhe falenderoj organizatorët dhe Ardit Gjebrean për gjithçka që kanë bërë për mua dhe kolegët e mi.”
Nga ana tjetër, producenti Gjebrea i është përgjigjur në koment: “Besa e dashur, të thashë që ‘Kënga Magjike' këtë vit do të ketë misionin #këndojpërtëndëruar dhe të gjithë bashkë do të kontribuojmë për ata që kanë nevojë. Kam qenë këto ditë në Thumanë dhe vendosëm që me të ardhurat nga biletat të ndërojmë një shtëpi nga e para dhe kjo gjë do të transmetohet të dielën në ‘E diela shqiptare’. Secili bën atë që ndjen, të gjithë artistët janë bashkë këtë herë për të ndërtuar. Të lutem mos mungo! Të gjithë ndiejmë dhimbje, por të gjithë bashkë mundemi. Edhe artistët e huaj kanë ardhur për këtë kauzë. Të presim!”
Një pjesë e ndjekësve e kanë vlerësuar veprimin e Besës, ndërkohë që të tjerë nuk bien dakord dhe i kërkojnë këngëtares që të rimendojë vendimin.
“Të lutem mos hiq dorë. Duhet të jemi të bashkuar,” shkruan dikush. “Besa mos mungo. Artistët në mbarë botën mblidhen në kauza të tilla,” shkruan një tjetër. “Respekte për vendimarrjen tënde, por njerëzit në këto ditë plot trishtim kanë nevojë për shpresë dhe për një jetë të re e kush më mirë se artistët mund ta bëjnë këtë. Mos e lini vendin në zi,” lexohet në një tjetër koment. “Nuk është momenti të tërhiqesh, por të vazhdosh të performosh duke mbështetur banorët e prekur nga tërmeti.”
Artikull i rekomanduar: Kënga Magjike do të bëhet, por me një mision të madh humanitar!
Komentet: