Muzika

Kozeta Kurti sqaron deklaratën për Elvana Gjatën

Shkruar nga Anabel

21 Dhjetor 2019

Kozeta Kurti sqaron deklaratën për Elvana Gjatën

Aty nga fillimi i nëntorit, në kohën kur "Festivali i Këngës" vlonte nga debatet se Elvana Gjata ishte përcaktuar si fituese, Kozeta Kurti, dikur zëdhënëse për shtyp e Festivalit, publikoi një shkrim ku ndër të tjera theksonte se ç'të keqe do të kish të fitonte Elvana nëse ka një këngë të mirë. Ndër të tjera, Kurti ngrinte si çështje nëse pjesëmarrja ose shpallja e Elvanës si fituese ishte një plan i stisur me qëllim, një favor ky për Arilenën, ose a kishte dorëzuar vërtet Elvana një këngë pranë produksionit. Por, gjërat ndodh që edhe keqkuptohen në portale, ndaj e ftuar në "Pop Culture", ajo sqaroi edhe njëherë se nuk kishte asgjë personale me Elvanën.

"I uroj shumë suksese. Nuk e kam patur fare me Elvanën, e kam me burokracirat," tha ajo. Gjatë intervistës, Kozeta tha:

"Kemi nja pesë a gjashtë vite që themi 'sikur të ikë Elvana, sikur të ikë Elvana, sepse është njeri i investuar'. Tani që është Elvana dhe është pretendente kryesore për të fituar, [themi] 'pse ka dalë [si fituese]'. Ky popull është prap me kapele, prap pa kapele."

Më pas, shtoi:

"Unë di të them këtë që Elvana është ndoshta, jo ndoshta po është në absolut personi më i investuar në fushën e këngës në këtë moment që ne po flasim. Për shije personale, është një çështje tjetër; unë do të flas për shijet e mia personale pas Festivalit. Nëse Elvana shkon në Festivalin Europian të Këngës, Shqipëria, siç ka pasur performancën me vokalin më të mirë me Eugent Bushpepën, jam e bindur që do të ketë performancën më të mirë [skenike] me Elvana Gjatën."