Orët e para të së premtes (24 prill) shënuan nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit për muslimanët në të gjithë botën. Duke qenë se të gjithë xhamitë dhe vendet e shenjta janë të mbyllura si pasojë e koronavirusit, festa këtë vit do të jetë ndryshe nga herët e tjera.
Zakonisht, gjatë këtij muaji komuniteti musliman mblidhet për të bërë lutjet e veçanta në xhami dhe më pas bëhen gati për të konsumuar "iftarin" të gjithë së bashku.
Këtë vit ky rit, përbën rrezik për përhapjen e virusit dhe shumë besimtarë e kanë quajtur si moment të trishtë në historinë e Islamit.
Çfarë traditash kanë ndryshuar për shkak të pandemisë?
Ramazani filloi në orët e para të 24 prillit dhe vazhdon deri më 24 maj. Gjatë periudhës 30 ditore, muslimanët agjërojnë. Ata mund të hanë para se dielli të lindë dhe pasi muzgu të ketë rënë.
Agjërimi konsiderohet si proces shpirtëror që ndihmon njeriun/besimtarin të pastrojë trupin dhe mendjen nga "mëkatet".
Kryesisht, 2 vaktet (syfyri dhe iftari) shijohen në grupe të mëdha familjesh dhe miqsh, por këtë vit tradita s'mund të ndiqet.
Vendet e shenjta përfshi Mekën dhe Medinën në Arabinë Saudite (që çdo vit presin me miliona vizitorë) janë bosh si asnjëherë më parë pasi autoritetet i kanë kërkuar besimtarëve t'i kryejnë lutjet e tyre në shtëpi.
Xhamia Al-Aqsa, në Jerusalem, (vendi i tretë më i shenjtë i Islamit) do të qëndrojë e mbyllur përgjatë gjithë ditëve të Ramazanit, duke i kërkuar njerëzve të fokusohen tek lutjet individuale dhe të gjejnë paqen brenda vetes gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Eid al-Fitr, është dita e fundit e Ramazanit konsiderohet si një nga ditët më të rëndësishme për muslimanët, që përkon me fundin e periudhës së agjërimit. Në kushte normale, atë ditë besimtarët mblidhen në xhamia ose hapësira të mëdha dhe nisin me lutjet e veçanta që zakonisht ndiqen nga një mëngjes- vakti i tyre i parë gjatë ditës pas një muaji.
Si çdo lloj festë/aktiviteti tjetër, edhe Ramazani do t'i përshtatet distancimit social. Iftaret virtuale apo lutjet e reja po planifikohen të mbahen në mënyrë që besimtarët muslimanë të ndihen njësoj të bashkuar.
Burimi: The Guardian & CNN