Charli D’Amelio kishte më shumë se 99.5 milionë ndjekës në TikTok dhe për pak shkonte në shifrën e 100 milionë ndjekësve, por një video i prishi punë. Familja D’Amelio postoi një video në kanalin e tyre në YouTube, e cila u bë virale dhe i kushtoi Charli-t diku te 1 milion ndjekës më pak.
Në video, shihen prindërit e saj, Marc dhe Heidi, e motra, Dixie, dhe i ftuari James Charles. Ndër të tjera, në video shfaqet edhe shefi i kuzhinës së familjes, Aaron May. May shpjegon çfarë ka gatuar duke përfshirë edhe një pjatë me kërmij. Në bisedë, duket sikur Charli tallet, ndërsa Dixie provon kërmillin dhe menjëherë vrapon jashtë dhe e nxjerr ushqimin.
Komentuesit e kanë kritikuar familjen për mënyrën se si u soll me May-n duke e perceptuar sjelljen e tyre si mungesë respekti dhe mosmirënjohje. Charli nuk i është përgjigjur kritikave, ndërsa Dixie u shpreh se nuk mund të gjykohet një person nga një klip 15 sekondash i nxjerrë nga konteksti. “Ekipi im e di që unë vjell shumë. Mund të më ndodhë nga aroma, mendimi apo shija e diçkaje.”
Tjetër arsye pse Charli po humbet ndjekës është fakti se gjatë bisedës me James Charles, u shpreh se do të donte të arrinte 100 milionë ndjekës se i pëlqen si numër, gjë që i bëri shumë ndjekës të mendonin se ajo i do fansat thjesht si numër.