"Vendet nuk duhet të ndalojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, nga frika se shkakton mpiksjen e gjakut, pasi deri tani nuk ka asnjë provë që ta vërtetojë këtë."- deklaron OBSH-ja.
Bullgaria, Danimarka dhe Norvegjia janë vendet e tjera që i janë shtuar listës së vendeve që kanë ndaluar përdorimin e kësaj vaksine, por sot përfaqësues të OBSH-së thanë qartë se nuk ka asnjë lidhje mes vaksinës dhe riskut për një mpiksje të gjakut pas përdorimit të saj.
Margaret Harris e quajtu AstraZeneca-n si një "vaksinë të shkëlqyer" që duhet të vazhdojë të përdoret. Gjithsej, ka patur rreth 30 raste në Europë që janë përballur me efektin e mpiksjes së gjakut pas vaksinës dhe gjithashtu u tha se një 50-vjeçar kishte vdekur në Itali pasi kishte pësuar trompozë të venave.
Më herët ishte Italia dhe Franca që bllokuan eksportimin e dozave të kësaj vaksine për shkak të mosmarrveshjeve midis Bashkimit Evropian (BE) dhe AstraZeneca-s.
Përsa i përket vendit tonë, Silva Bino tha ditën e djeshme se AstraZeneca është një vaksinë e sigurtë dhe do të përdoret nga të gjitha grupmoshat.
“Vaksina do të përdoret në të gjitha grupmoshat siç përdoret Pfizer, kjo është kthyer edhe nga ato vendet që morën një vendim që të mos vaksinonin persona mbi 65 vjeç për shkak të dhënave të pakta që kishte në dokument. Të dhënat e sotme të publikuara nga Mbretëria e Bashkuar që e ka përdorur këtë vaksinë në të gjitha grupmoshat, tregojnë që ajo është efektive, e sigurtë edhe mbi 65 vjeç."-u shpreh Bino gjatë konferencës së Komitetit të Ekspertëve.
Burimi: BBC