Njihuni me republikën më të re në botë
Pas 396 vitesh, mesnatën e së hënës, Barbados a.k.a vendi i origjinës së Rihanna-s u shndërrua zyrtarisht në republikë! Pasi ora shënoi 12:00, flamuri mbretëror që përfaqëson mbretëreshën, u ul mbi sheshin e Heronjve të mbushur plot me njerëz, që prisnin të festonin statusin e ri të vendit.
Në ceremoni, s'mund të mungonte Rihanna, e cila u shpall gjithashtu heroinë kombëtare. Vendimin për t'u shkëputur nga Britania e Madhe, kryeministri e komentoi duke thënë se "kishte ardhur koha që Barbados ta linte pas jetën si koloni".
4 persona humbën jetën në Stamboll prej erërave të forta.
Erërat e forta i morën jetën të paktën 4 personave dhe plagosën 19 të tjerë në Stamboll dhe disa qytete të tjera në Turqi. Stuhia shkaktoi dëme dhe kaos të madh prej erës që frynte me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë.
Një prej viktimave mbeti pa jetë brenda shtëpisë së saj, pasi era shkuli tjegullat nga çatia, të cilat fatkeqësisht ranë mbi të dhe fëmijët e saj. Këta të fundit arritën të shpëtonin, por jo nëna e tyre.
Leo Messi, fitues i "Topi i Artë" për herë të 7-të!
Futbollisti argjentinas është zyrtarisht fitues i 7 Topave të Artë! Sulmuesi i PSG theu zyrtarisht rekordin duke marrë një 2 tituj më shumë se rivali i tij në futboll, Cristiano Ronaldo.
Po të njëjtin çmim Messi e ka fituar më herët në vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, dhe 2019.
Ç'thonë epidemiologët për variantin e ri në Shqipëri
Gjatë një interviste për Abc News, epidemiologu i njohur Genc Sulçebe tha se shanset që varianti i ri të përhapet me shpejtësi janë të mëdha dhe mund të mos mbetet asnjë pa u infektuar. Sipas tij, zgjidhja e vetme është vaksinimi.
“Janë variante të pritshme. Mutacioni i ri është i pesti, i cili ka shumë mutacione, mbi 30 ndryshime në strukturën e tij krahasuar me variantin origjinal. Virusi do kohë të eliminohet, me javë, në organizëm dhe rrit mundësinë të pësojë ndryshime, bëhet më i përshtatshëm dhe shpërndahet në individë të tjerë. Omicron duket se ka aftësi ngjitëse më të mëdha se Delta. Ka rrezik të përhapet, të zëvendësojë Deltën, dhe të infektojë potencialisht, nuk do të ngelet njeri pa u infektuar. Këtu del puna te vaksina. E vetmja zgjidhje është vaksinimi. Nuk shpëton dot. Tani a do ta marrësh me sëmundje apo vaksinim, zgjidheni vetë."- u shpreh Sulçebe.
Ndërkohë, epidemiologu Ilir Alimehmeti ndau një mendim ndryshe. Sipas tij, Omicron është më pak ngjitës së Delta.
“Do ta shohim me qetësi. Do akoma më tepër kohë për t’u parë. Ky variant gjendet me PCR ndryshe nga të tjerët që donin sekuencim gjenetik. Është më e lehtë dhe më e shpejtë. Në Afrikën e Jugut kishim edhe një tjetër variant, Beta, nuk u transmetua aq shumë në Europë”
Fansat vënë re që një episod nga Simpsona-t është hequr nga Disney + në Hong Kong
Fansat e kartonave të famshëm amerikanë, vunë re se një skenë ku familja shkonte në sheshin Tiananmen në Hong Kong ishte hequr nga Disney +.
Në episodin e 2005-ës, "Goo Goo Gai Pan", familja udhëton drejt Kinës për të adoptuar një fëmijë. Klani ndalon në sheshin Tiananmen në Beijing ku gjejnë një shënim në të cilin thuhet: "Këtu në këtë zonë, në 1989 nuk ndodhi asgjë"- një shaka e hidhur për ngjarjen e 1989, ku në fakt, gjatë atij viti shumë mbetën të vrarë si pasojë e protestave të udhëhequra nga studentët për vendosjen e demokracisë.
Nuk është e qartë nëse është Disney + që e ka fshirë vetë atë episod, apo një urdhër i autoriteteve vendase.
Deri tani asnjëri prej opsioneve nuk ka dhënë një përgjigje.
Burimi: CNN, The Guardian, Euronews