
Në mesin e 25 nominimeve që seriali "The Pitt" mori këtë vit në çmimet Emmy, njëra prej tyre ka tërhequr vëmendje për historinë e pazakontë pas saj. Aktorja Brittany Allen, e cila luan një paciente me kancer në fazë terminale, nuk u përfshi në listën zyrtare të HBO-së, ndaj vendosi ta paraqiste vetë kandidaturën e saj.
“Në këtë industri askush nuk të bën nder. Askush nuk të mbështet përveç vetes”, tha Allen për CNN.
Sipas saj, pasi investon kaq shumë në një rol, është e natyrshme të luftosh që puna jote të marrë vlerësimin që meriton.
“M'u duk e rëndësishme të merrja iniciativën dhe të thoja: ‘Shikoni çfarë kam bërë’”, u shpreh ajo.
Në serial, Allen luan Roxie Hamler, një nënë dhe paciente me kancer që përballet me vendimin e dhimbshëm për t'i dhënë fund jetës, në vend që të vazhdojë të jetojë mes vuajtjeve. Interpretimi i saj prekës u vlerësua gjerësisht nga publiku, me shumë shikues që e cilësuan si një nga momentet më të fuqishme të serialit.

Për të aplikuar për një nominim në Emmy, Allen pagoi tarifën prej 225 dollarësh dhe plotësoi vetë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, pa asnjë garanci se do të përfshihej mes të nominuarve. Për aktoren, kjo është njohja e parë zyrtare e karrierës së saj.
“Kur pashë që HBO nuk më kishte propozuar, nuk pata asnjë dyshim se duhej ta bëja vetë. Është një platformë që kam ndërmend ta përdor,” tha ajo, duke shtuar se nëse dikush do t'i kishte thënë vite më parë se do të nominohej për një Emmy për një rol në një serial të HBO-së, do t'i ishte dukur ëndërr.
Allen nuk është e vetmja që ka ndjekur këtë rrugë. Më parë, aktorë si Gwendoline Christie, Alfie Allen dhe Carice van Houten nga Game of Thrones kanë paraqitur vetë kandidaturat e tyre dhe kanë arritur të nominohen. Edhe aktori Jeff Kober, pjesë e kastit të The Pitt, zgjodhi të aplikonte vetë për kategorinë e Aktorit më të Mirë.
I pyetur përse HBO nuk e përfshiu Allen në listën e saj zyrtare, drejtuesi i rrjetit, Casey Bloys, tha se vendimi ishte strategjik.
“Seriali ka qindra aktorë dhe nuk mund t'i propozojmë të gjithë. Ky është realiteti. Por i inkurajojmë ta bëjnë vetë dhe jam i lumtur që Brittany Allen e bëri,” u shpreh ai.
