
Ylli portorikan dhe artisti që ka bërë histori në Grammy, Bad Bunny ishte performuesi i Super Bowl 2026. Dhe siç pritej, artisti më i përfolur i momentit e dominoi plotësisht skenën, duke sjellë jo vetëm një performancë të paharrueshme, por edhe një veshje që la gjurmë.

Reperi njihet për zgjedhjet e guximshme në modë dhe nuk ishte aspak surprizë që Bad Bunny u shfaq me një veshje të veçantë edhe gjatë asaj performance. Veshja e tij, e gjitha nga Zara, ishte çuditërisht minimaliste: një këmishë me jakë dhe kravatë, një bluzë sportive me mbiemrin e tij Ocasio të stampuar, numri 64, pantallona pambuku dhe atlete sportive. Po domethënia e numrit 64? Fansat dyshojnë se 1964 është viti i lindjes së nënës së tij, Lysaurie Ocasio.

Vendimi i Bad Bunny-t për të zgjedhur markën spanjolle Zara nuk ishte aspak rastësor. Tekefundit, këngët të tij u interpretuan në spanjisht.
Më vonë, ai ndërroi veshjen, duke shtuar një xhaketë ngjyrë kremi. Sa i përket aksesorëve, Bad Bunny mbante doreza në po të njëjtën ngjyrë që përputheshin me veshjen dhe një orë. Sa i takon këpucëve, ai zgjodhi atletet e tij “BadBo 1.0”, të krijuara në bashkëpunim me Adidas.

Vendimi i Bad Bunny-t për të sfiduar pritshmëritë e modës në skenën e Super Bowl-it kuptohet më së miri, nëse marrim parasysh historinë e tij të gjatë me stilin. Qoftë në skenë apo në tapetin e kuq, artisti gjithmonë i është qasur veshjeve me një frymë origjinale dhe personale.

Performanca e Bad Bunny ishte historike për Super Bowl-in: ai u bë këngëtari i parë që realizoi një shfaqje thuajse tërësisht në gjuhën spanjolle, një vendim që shkaktoi reagime të forta në qarqet konservatore. Kjo performancë erdhi vetëm pak ditë pas fitores së tij në Grammy, ku ai u bë gjithashtu artisti i parë latin në historinë 68-vjeçare të ceremonisë që fiton çmimin Albumi i Vitit, për albumin DeBÍ TiRAR MáS FOToS.

