
Muzikanti irlandez Glen Hansard, fitues i çmimit Oscar për këngën "Falling Slowly", ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare pas një aksidenti tragjik rrugor në Dublin, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Hansard, i njohur si vokalisti i grupit rock The Frames dhe një nga artistët më të vlerësuar të muzikës irlandeze, u bë i famshëm në mbarë botën falë filmit "Once" dhe kolonës së tij zanore. Ai fitoi çmimin Oscar në vitin 2008 për Këngën më të Mirë Origjinale, me hitin "Falling Slowly", të cilin e shkroi së bashku me Markéta Irglová.
Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi në zonën Lower Road, në Lucan, në perëndim të Dublinit.
I lindur në Dublin në vitin 1970, Glen Hansard e nisi karrierën si muzikant që performonte në rrugë e sheshe, përpara se të bëhej pjesë e filmit kult "The Commitments" në vitin 1991. Një vit më parë kishte themeluar grupin The Frames, me të cilin ndërtoi një karrierë të suksesshme në muzikën rock.
Njohja ndërkombëtare erdhi me filmin "Once" (2007), ku interpretoi përkrah Markéta Irglová. Historia e dy muzikantëve që takohen në Dublin preku publikun në mbarë botën, ndërsa kënga "Falling Slowly" u kthye në një fenomen. Fi
Përveç punës me The Frames dhe projektit The Swell Season, Hansard publikoi edhe disa albume solo. Albumi "Didn't He Ramble" u nominua për një çmim Grammy në vitin 2016 në kategorinë e albumit më të mirë folk.

Që nga viti 2010 organizonte koncertin tradicional të Krishtlindjeve në rrugët e Dublinit për të mbështetur organizatën Dublin Simon Community, e cila ndihmon personat e pastrehë. Në këtë iniciativë kanë marrë pjesë ndër vite edhe artistë si Bono dhe Sinéad O'Connor.
Hansard ishte babai i një djali trevjeçar. Në një intervistë të vitit 2023 për BBC Radio Ulster, ai kishte treguar se ardhja në jetë e të birit ia kishte ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e shihte jetën.
Në një deklaratë zyrtare, kompania e tij e menaxhimit, ATC Management, konfirmoi lajmin e hidhur, duke kërkuar që privatësia e familjes të respektohet në këtë moment të vështirë. Edhe organizata Dublin Simon Community shprehu dhimbjen për humbjen e artistit, duke e përshkruar Hansard si një krijues të jashtëzakonshëm dhe një njeri bujar, empatik dhe të përkushtuar ndaj kauzave sociale.