
Tirana ka mjaft gjëra të çuditshme për të tërhequr vëmendjen gjatë ditës, por këto ditë listës i janë shtuar edhe disa manekinë me kokën në formën e një zari.
Po, e lexuat mirë. Manekinët janë shfaqur në disa prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit dhe, për momentin, askush nuk duket se e di me siguri çfarë po bëjnë aty. Nuk kanë një emër, nuk kanë një shpjegim dhe, të paktën deri tani, nuk të çojnë te ndonjë përgjigje e qartë.

Sigurisht, kjo ka bërë që njerëzit të fillojnë të pyesin: Kush i ka vendosur?
Gjasat janë që të bëhet fjalë për një fushatë që ende nuk është zbuluar. Ndoshta paralajmërojnë diçka që do të ndodhë së shpejti, ndoshta shpjegimi është shumë më i thjeshtë. Por një gjë e kanë arritur tashmë: na kanë bërë t’i vëmë re.

Sidomos sepse, në vend të fytyrës, manekinët kanë një zar gjigant. Hmmm...lojë, fat apo ndonjë surprizë që po vjen? Kemi shumë pikëpyetje.
Kështu që, nëse edhe ju keni kaluar pranë njërit prej tyre dhe keni menduar “çfarë janë këto?”, jemi të gjithë në të njëjtën pikë.

Për momentin, kaq dimë. Agjentët tanë në terren janë në gatishmëri dhe do t’ju përditësojmë sapo të mësojmë më shumë.