Céline Dion është shfaqur në publik pas një mungese të gjatë dhe këtë herë dalja e saj në Paris vjen pak para një momenti shumë të rëndësishëm në karrierë: rikthimit në skenë.
Këngëtarja 58-vjeçare u fotografua jashtë hotelit në Paris, e veshur me një pardesy bezhë dhe syze dielli, me flokët e kapur pas. Ajo u pa duke përshëndetur fansat dhe fotografët. Kjo raportohet si dalja e saj e parë publike në rreth dy vite.

Dion po përgatitet për disa koncerte në Paris që nisin në shtator, një rikthim i shumëpritur pas viteve të vështira shëndetësore.
Në vitin 2022, këngëtarja u tërhoq nga skena pasi bëri publike diagnozën me stiff-person syndrome, një çrregullim i rrallë neurologjik që shkakton ngurtësim të muskujve në trup, krahë dhe këmbë, si edhe spazma të dhimbshme. Ajo kishte jetuar me këtë gjendje për rreth 17 vite përpara se të fliste publikisht për të.

Rikthimi në skenë ka kërkuar edhe një përgatitje intensive fizike. Dion thuhet se ka ndjekur seanca pilates prej 90 minutash, tri herë në javë, si edhe klasa baleti dy herë në javë.
Ajo ka folur me krenari për faktin që trupi i saj është sërish në gjendje të bëjë atë për të cilin është stërvitur, pavarësisht sëmundjes.
Drejtoresha kreative Annie Horth e ka përshkruar spektaklin e ardhshëm me vetëm një fjalë: “madhështor”. Sipas saj, koncepti është ndërtuar në mënyrë që të pasqyrojë të gjitha anët e Dion, nga momentet intime dhe romantike te ato ku fuqia e zërit të saj del në plan të parë.

Për Céline Dion, ky nuk është rikthimi i parë në skenë që prej diagnozës. Në vitin 2024, ajo emocionoi publikun gjatë Lojërave Olimpike në Paris, që shënoi paraqitjen e parë të madhe live që prej njoftimit të sëmundjes.



