Showbiz

Çifti perfekt në publik, një jetë tjetër në privat: Rasti që tronditi Eni Çobanin

Çifti perfekt në publik, një jetë tjetër në
Foto: Eni Çobani / "Grida Duma Podcast"

Disa çifte nga jashtë duken sikur nuk kanë asnjë problem. I sheh bashkë, të afërt, duke buzëqeshur, duke u përqafuar, dhe pa e kuptuar krijon një histori të tërë për ta: që janë mirë, që duhen, që e kanë gjetur formulën e martesë së lumtur. Por e vërteta është se për marrëdhëniet e të tjerëve dimë shumë më pak nga sa mendojmë.

Pikërisht këtë solli në vëmendje edhe një rrëfim i Eni Çobanit në podkastin e Grida Dumës. Juristja tregoi një nga rastet më të forta që i është dashur të ndërmjetësojë: një çift shumë i njohur për publikun dhe pjesë e një familjeje shumë të pasur shqiptare, që në publik shfaqej krejt ndryshe nga realiteti që jetonte brenda shtëpisë.

“Unë ata i kisha takuar herë pas here si ajo familja që vetëm putheshin dhe përqafoheshin”, tregoi Çobani, duke shtuar se pas këtij imazhi fshihej një dramë që askush jashtë nuk e shihte.

Sipas saj, të dy bashkëshortët kishin kohë që jetonin një marrëdhënie të thyer. Kishte mungesë komunikimi, tradhti dhe një distancë që ishte bërë gjithnjë e më e madhe, deri në pikën që secili kishte nisur të jetonte praktikisht jetën e vet.

“Fatkeqësisht bënin sikur nuk dinin, por në fakt ajo dihej, sepse kur je në një çati dhe kur mungon me ditë të tëra dhe kur vjen në jetë edhe një fëmijë që nuk ka atësinë e personit me të cilin bashkëjeton, duhet ta kuptosh që diçka ka ndodhur”, u shpreh ajo.

Çobani tregoi se bashkëshorti kishte pasur disa marrëdhënie jashtë martesës, ndërsa gruaja, e lënduar nga kjo situatë, kishte reaguar duke bërë të njëjtën gjë. Situata u bë edhe më e ndërlikuar kur ajo solli në jetë një fëmijë nga një marrëdhënie jashtë martesës.

“Por ardhja e një fëmije e kishte traumatizuar dhe mospasja e mundësisë që atësia të ishte e bashkëshortit, sepse sigurisht ai e kishte refuzuar.”

Ajo që e kishte tronditur më shumë, sipas Eni Çobanit, nuk ishte vetëm historia në vetvete, por kontrasti mes asaj që dinte për çiftin nga jashtë dhe realitetit që zbuloi gjatë ndërmjetësimit.

“E them këtë si më të fortën sepse emrat e përfshirë janë emra shumë publikë dhe të njohur. Dhe kjo sigurisht tek unë solli edhe atë tronditjen brenda vetes për të parë dhe kuptuar si është e mundur, sepse unë ata i kisha takuar herë pas here si ajo familja që vetëm putheshin dhe përqafoheshin”, tregoi ajo.

“Ndërkohë ata kishin një dramë brenda familjes, ku sytë e tyre nuk e shprehnin jashtë, por ata vuanin.”

Çifti, sipas saj, nuk u divorcua. Sot nuk jetojnë fizikisht bashkë dhe secili vazhdon jetën e vet, por martesa ligjërisht vazhdon. Një pjesë e vendimit lidhej me pasurinë dhe me refuzimin e gruas për ta ndarë atë pas gjithçkaje që kishte përjetuar.

"Pra, nuk flasim për një person që kishte vetëm një njeri, por kishte disa dhe kjo çonte ujë në pjesën e gruas e cila vendosi gjithashtu të bënte të njëjtën gjë. Por ardhja e një fëmije e kishte traumatizuar, dhe mos pasja e mundësisë që atësia të ishte e babait sepse sigurisht ai e kishte refuzuar. Ajo pastaj vendosi që ndarjen të mos e bësepse edhe pasurinë nuk mund ta ndajë me ato njerëz dhe vazhdon të jetë në atë lidhje," u shpreh ajo.

"Ajo është shumë e vendosur [për të mos u divorcuar], sepse është edhe pjesë e biznesit, dhe ajo e quan jo vetëm tradhti morale, por edhe ndaj kontributit të saj. Ajo është ndjerë e fyer edhe intelektualisht," shtoi më pas.

Eni tregoi se ndërmjetësimi kishte çuar në një lloj zgjidhjeje, por jo në një rikthim të çiftit si më parë.

“Situata u çlirua, janë të padivorcuar, vazhdojnë në dashuritë e tyre dhe sigurisht që nuk jetojnë fizikisht bashkë, por martesa vazhdon.”

Pa hyrë te emrat apo te kurioziteti për të zbuluar se kush janë, rrëfimi prek diçka shumë më të njohur: faktin që marrëdhëniet e njerëzve, sidomos ato që shohim vetëm nga jashtë, nuk mund të maten nga disa foto, dalje publike apo gjeste afeksioni. Ndonjëherë, çifti që duket më i lumtur është thjesht çifti për të cilin dimë më pak.