
Dafina Zeqiri ka bërë një reagim të ashpër pas pjesëmarrjes në funeralin e vëllait të Gjestit, ku përpos dhimbjes, familja Kelmendi u përball me një ekspozim çnjerëzor në rrjetet sociale.
Pas një ngjarjeje të tillë, Dafina është shprehur e shokuar dhe ka folur për vëmendjen dhe fiksimin e rrjeteve sociale, të cilat në rastin në fjalë, fituan edhe ndaj një dhimbjeje të tillë.
“Rrjetet sociale janë të fuqishme, por edhe të rrezikshme. Ato janë ndërtuar mbi vëmendjen, por nuk duhet kurrë të lavdërojnë llojin e gabuar të vëmendjes! U trondita kur pashë njerëz duke filmuar me iPhone në një funeral. Dhe të ashtuquajtur “VIP-a” duke dhënë intervista e mburrur online për atë që iu tha. Disa “gazetarë” bënë pyetje pa lidhje, duke e kthyer dhimbjen e një familjeje në skenën e tyre të vëmendjes”, u shpreh fillimisht Dafina.
Më tej, shtoi:
“Kjo është absurde, çnjerëzore dhe mungesë e thellë respekti. Çaste që duhej të ishin private, u kthyen në një cirk. Një ditë do t’i mësoj djalit tim: Këta janë njerëzit prej të cilëve duhet të qëndrosh larg, ata që japin shembullin më të keq. Njerëzimi nuk duhet të shkëmbehet kurrë për vëmendje!”.
“Sepse vëmendja nuk duhet të jetë kurrë në kurriz të dhimbjes së dikujt tjetër”, përmbylli ajo deklaratën.
Reagimi i saj vjen pasi shumë njerëz, në kulmin e dhimbjes për familjen, nxorën telefonat, duke fotografuar dhe xhiruar momente të ndryshme nga përcjellja e të ndjerit në banesën e fundit. Kudo në rrjetet sociale qarkulloi një foto ku njerëzit, të armatosur me nga një smartphone, e harruan respektin ndaj të ndjerit dhe familjes dhe u bënë foto Gjestit dhe Eglit, ndërsa kjo e fundit po e ngushëllonte për humbjen e madhe.
Vëllai i Gjestit ndërroi jetë, si pasojë e një aksidenti tragjik në Pejë. Lajmi u bë i ditur nga Policia, e cila konfirmoi se Eldion Kelmendi kishte humbur jetën në vend. Ai ishte vetëm 15 vjeç.