
David dhe Victoria Beckham kanë zgjedhur të rikthehen në një prej vendeve më të veçanta për historinë e dashurisë së tyre. Çifti po shijon pushimet në Portofino të Italisë, një destinacion që lidhet me ditët e para të marrëdhënies së tyre, kur romanca ishte ende një sekret.
David ndau në Instagram një seri fotosh nga udhëtimi dhe zbuloi se 29 vite më parë, ai dhe Victoria kishin vizituar pikërisht të njëjtin hotel.
“29 vjet më parë erdhëm në Portofino, në këtë hotel, para se dikush ta dinte se ishim bashkë, dhe ja ku jemi përsëri”, shkroi ai, duke iu referuar vitit 1997.
Ish-futbollisti e shoqëroi postimin me disa emoji zemrash blu dhe etiketoi bashkëshorten.
Në një prej fotove, Victoria shfaqet me një fustan të gjatë të zi, me dantellë dhe detaje transparente, ndërsa në një tjetër çifti shfaqet i përqafuar, me detin dhe gjelbërimin në sfond. David kishte zgjedhur një veshje më casual, me bluzë të bardhë, këmishë të lirshme dhe pantallona bezhë, ndërsa Victoria ruante stilin e saj elegant.

Historia e dashurisë së tyre nisi në mesin e viteve ’90 dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej romancave më të komentuara të kohës. Ata u martuan në vitin 1999 dhe së bashku kanë katër fëmijë, Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper.
Tashmë, gati tre dekada pas udhëtimit të tyre të parë, rikthimi në Portofino duket si një mënyrë për të festuar jo vetëm pushimet, por edhe rrugëtimin e gjatë që kanë bërë si çift. Përmes postimit të tij, David solli në vëmendje një periudhë kur lidhja e tyre ishte ende një sekret dhe kur askush nuk e dinte se çfarë historie do të ndërtonin së bashku.




