
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burg, për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje e ndodhur më 29 nëntor 2023. Vendimi u shpall sot në Prishtinë.

Në fjalët përfundimtare, prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit, duke mbështetur qëndrimin se vrasja e 30-vjeçares ishte e planifikuar. Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla kishin rënë dakord paraprakisht për kryerjen e krimit, me pretendimin se Plava do ta ekzekutonte vrasjen kundrejt pagesës.

I ati i Liridonës, Hajdar Ademaj, u shpreh për mediat në Kosovë:
“Populli i ka dënuar ata. Faleminderit prej të gjithëve, e kam pritur këtë ditë me padurim, veç deshi Zoti dhe e mori dënimin e merituar. Ju faleminderit shumë!"

Vëllai i të ndjerës, Leonardi, deklaroi:
“Ajo që u vërtetua sot është ajo që kemi thënë nga fillimi. Naimi bashkë me Kushtrimin duke zgjedhur Granitin kanë organizuar këtë krim, ky vendim sot nuk shkon veç për ne, por për Liridonën dhe për fëmijët e saj të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht. Ky dënim duhet të jetë mësim për ata që mundohen apo krijojnë mundësi të bëjnë një gjë të tillë."
Mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2023, Liridona Ademaj, 30 vjeç, u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në makinë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Murseli e planifikoi vrasjen e Liridonës, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh bashkë me Kokallën (pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe nipi i Naim Murselit).
“…Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahu, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit. Më pas Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha prokuroria në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.

Dyshimet e para qenë për një grabitje, pasi edhe Naim Murseli, në dëshminë e dhënë në polici, deklaroi se dy persona të maskuar u kishin prerë rrugën dhe u kishin kërkuar lekët dhe telefonat. Në largim e sipër, kishin qëlluar me armë zjarri gruan e tij, Liridonën.
Asokohe, gazetarë, juristë dhe aktivistë bënë thirrje për hetim më të detajuar, pasi sipas tyre, ngjarja nuk dukej si grabitje. Ish-koloneli i Policisë, Rrahman Sylejman, hodhi dyshime se si ka mundësi që kryefamiljari të jetë larguar nga skena e krimit me fëmijët në vend të nënës.
Avokati Arbër Jashari argumentoi se përgjithësisht, grabitësit nuk grabisin vetura private, pasi kanë synim bankat, makinat me shumë njerëz, bizneset që kanë shuma të mëdha parash në qarkullim etj. Jashari shtoi se grabitësit e dinë që sot njerëzit nuk mbajnë shumë para me vete, stoli apo sende me vlerë.
“Grabitësi nuk ka qëllim vrasjen. Ai qëllim primar ka të ushtrojë frikë në mënyrë që të marrë plaçkën. Grabitësi vret vetëm kur i rrezikohet jeta ose zbulimi i identitetit. Është pak e besueshme që grabitësit të jenë ndjerë të rrezikuar, e sidomos nga një grua,” tha ai në Facebook asokohe.
Naimi dhe Liridona kishin 12 vite të martuar.
