
Detaje tronditëse janë zbardhur nga rasti i rëndë në fshatin Frashër të Fierit, ku 26-vjeçara, Ermalinda Rama vrau të atin, Anest Rama.
Sipas hetimeve, në krim ka marrë pjesë jo vetëm vajza dhe e ëma, por edhe një tjetër person. Bëhet fjalë për një 56-vjeçar, i identifikuar si Çlirim Dogani, i cili ka ndihmuar të renë të vrasë të atin. Nga të dhënat e para raportohet se këta të fundit kanë pasur një lidhje intime së bashku.
Si ndodhi ngjarja
Fillimisht dyshohet se vajza e ka goditur të atin në pjesët intime, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa Dogani ka ndërhyrë duke mbajtur viktimën që të mos vetëmbrohej. Më pas, vajzae ka mbytur me një tel. Po ashtu, në krim dyshohet se janë përdorur mjete të forta dhe mjete prerëse gjatë ngjarjes.
E përfshirë është edhe bashkëshortja e të ndjerit, e cila ka ndihmuar në pastrimin e vendit të ngjarjes dhe fshehjen e gjurmëve, përfshirë edhe pastrimin e trupit të viktimës nga gjaku.
Si u zbardh ngjarja
Ngjarja u zbardh nga përgjimet telefonike, ku 26-vjeçarja është dëgjuar duke komunikuar me Çlirim Doganin, pas kryerjes së vrasjes. Dogani, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, është tashmë në hetim për bashkëpunim në krim.
Rreth orës 23:00 të së mërkurës, vajza 26-vjeçare mbyti të atin dhe më tej, telefonoi policinë, për të denoncuar se i ati i saj kishte ndërruar jetë si rrjedhojë e një ngjarjeje aksidentale. Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje nga policia e Fierit, u dyshua për vërtetësinë e dëshmisë së vajzës.
Nga veprimet e shpejta hetimore, autoritetet dolën në përfundimin se viktima ishte mbytur me tel. Më tej, pas zbardhjes së ngjarjes, vajza e pranoi se kishte kryer krimin makabër.
Arsyet që çuan në mbytjen e të atit, sipas vajzës
Ajo rrëfeu për arsyet që e bënë të ndërmerrte këtë akt mizor. Sipas vajzës, i ati e trajtonte me fanatizëm, nuk e lejonte të vishej në mënyrën që donte dhe as të argëtohej. Ajo u tha hetuesve se babai i ushtronte presion në përditshmërinë e saj dhe se kishte debate shumë të shpeshta, pasi ai nuk i jepte para kur ajo i kërkonte.
Dëshmitë e të afërmve
Megjithatë, dëshmitë e të afërmve nuk e konfirmojnë versionin e autores së krimit, pasi shprehen se ajo e dhunonte vazhdimisht të atin.
Viktima punonte në një fermë blegtorale në zonë dhe shpeshherë, kishte shkuar me shenja në fytyrë. Ai thoshte se i ishin shkaktuar nga incidente të ndryshme dhe burimet nga policia konfirmuan se viktima keqtrajtohej si nga e shoqja, ashtu edhe nga vajza.
Fqinjët u shprehën se ata jetonin të ndarë, megjithëse në të njëjtin oborr.
Vëllai i viktimës, me inciale F.R., konfirmoi se i ndjeri dhe e shoqja nuk kishin një raport të mirë:
“E kemi ditur dhe më përpara, nuk shkonin. Ajo thoshte: “Nuk e dua burrin. Merreni dhe mbajeni ju. Merrni pensionin e bëni çfarë të doni, unë nuk e dua”. Çifti ka dy fëmijë, dy vajza. Unë e mësova nga kunata, lajmëroi gruan time, e mori në telefon edhe tha që ai ka vdekur. Kam rreth 2 vjet e gjysmë që nuk flisja me vëllanë, se nuk na linte ajo të flisnim. E dija që nuk shkonin mirë. Pyesja vëllain tjetër se si ishte ai”, u shpreh vëllai.
Ndërsa kushëriri i të ndjerit u shpreh se policia kishte shkuar 10-15 herë në banesën e çiftit, pasi kishin konflikte të shumta. Po ashtu, kryeplaku i fshatit deklaroi për Top Channel se kishte parë episode dhune.
“Ai vetëm ankohej i shkreti. E rrihnin, e godisnin në syrin tim. Ça të them unë… ato ha, pi, rri dhe punonte ai i shkreti. Jemi të prekur shumë si fshat. Janë tre vëllezër këta. Njëri prej tyre e mori në Greqi ku punoi atje dhe bëri shtëpinë. Familja i thoshin ‘ik nga shtëpia, s’të duam’”, tha ai për Top Channel.
Policia ka vënë në pranga të tre personat e përfshirë, ndërsa ngjarja vijon të jetë nën hetim.