
Mozzik ka vendosur që këtë vit të rikthehet dhe të bëjë zhurmë. Nëse menduat se diss-et e reperit do të ishin vetëm ndaj vetes, gaboheni. Ai u kujdes të mos harronte konfliktet e vjetra me Noizy-n, ose të paktën këtë tregoi kënga “Never that G(a)uy”.
Duket se Mozzik nuk ka në plan ta lërë pas të shkuarën dhe kjo këngë e dëshmon më së miri që në strofën e parë.
“Kerret duhesh mi kthy
ke hi borxh deri n’fyt
e ki naj shok milioner
e te ai po man ymyt
e mu m’ka borxh dhe milioneri yt”

Të gjithë e dimë fiksimin e Noizy-t me makinat e shtrenjta dhe kaq mjaftoi që njerëzit të dyshojnë fillimisht. Por, nëse menduat se me kaq mbaroi, na lejoni t’ju themi se e keni gabim.
“E vërtetë kurrë se ndrrove stilin,” thotë në një moment tjetër që qartazi i referohet Noizy-t kur thotë “kush ka thënë që ndrrova stilin” në këngën “Icon”.
“Ti dek me kon si un
po je veç ni spiun
ty nuk t’shoh as reper
ti je veç ni majmun”

Fjala “reper” mjafton për të arritur në disa përfundime. Mozzik po sigurohet që mesazhi t’i përcillet njeriut të duhur.
“ma përcjell çdo lëvizje
ti je my big fan
qysh me t’hejtierat
kur ti rri me ex tem”

Noizy shpeshherë ka komentuar publikisht (duke ironizuar të kuptohemi) shumë ngjarje në jetën e Mozzik-ut. Dhe me ngjarje nënkuptojmë numrin e ndjekësve dhe klikimeve, qoftë ndaj këngëve apo edhe rrjeteve sociale.
Kur publikuan “Heart attack” dhe “Pare”, të dy reperat ishin kokë më kokë me klikimet dhe e komentuan jo pak situatën në rrjetet sociale. Tre vite më parë, Noizy ironizoi sërish reperin. Në shumë prej komenteve, njerëzit shkruanin se numri i ndjekësve të Mozzik-ut ndryshoi nga 1.2 milion në 1.9 milion në vetëm një orë. Pra, sipas tyre, Mozzik kishte blerë të paktën 700,000 ndjekës.
Ky zhvillim nuk i shpëtoi Noizy-t i cili tha duke qeshur në një video virale:
“Gjithsesi unë do e them se njerëzit nuk ma marrin për të madhe, nuk ma marrin për ters. Se fundja-fundit, të vërtetën thashë. Mozziku ka blerë nja 700,000 followers.”

Por, përqendrohemi pak te ex-i. E dimë marrëdhënien e mirë mes Loredanës dhe Noizy-t, ata madje patën një bashkëpunim i cili ishte goxha i suksesshëm. Gjatë fillimit të përplasjeve mes reperëve, shumë portale aluduan se arsyeja ishte sepse Noizy ishte lidhur me Loredanën, por këto zëra u mohuan nga reperi gjatë një interviste.
“I pyta kush ju ka shti
m’than kta n’qeveri
m’pytën ça ki n’çantë
ku o ora e bardhë
menun qe ju rash n’dorë
e jom qaq budallë”

Mozzik bëri bujë në media vitin e shkuar, pasi dyshohej se ishte ndaluar nga policia, për shkak se mbante me vete dy orë luksoze të markave Richard Mille dhe Rolex. Duke qenë se autoritetet ngritën dyshime mbi origjinën e këtyre sendeve me vlerë, ndaluan reperin, duke e vënë në dijeni se kontrollet mbi mallrat e luksit ishin procedura standarde.
Ky zhvillim nuk i shpëtoi Noizy-t, i cili e shfrytëzoi rastin për të hedhur një tjetër kunjë ndaj Mozzik-ut në rrjetet sociale. Ai publikoi në story një faqe kineze që shet imitimet e orëve luksoze dhe shkroi:
“E dua edhe unë një kështu, urgjent”, shoqëruar edhe me emoji duke qeshur.
Deklaratës së tij iu përgjigj Mozzik duke thënë:
“Hajde, le të na ndihmojë. Komuniteti i artistave le të më përkrahë, edhe unë jam artist”, tha ai me ironi.
Noizy dhe Mozzik bashkëpunuan vite më parë në këngën “Bonjour madame”, e cila më vonë u fshi nga YouTube, dhe që prej atij momenti u aludua për një prishje të marrëdhënieve midis reperëve, gjë që u konfirmua edhe nga përplasjet e tyre virtuale.



