
Gjatë një interviste për Vogue, Ariana Grande foli mbi disa nga pamjet e saj ndër vite në tapetin e kuq.
Edhe pse stili i saj ka ndryshuar shumë, një nga më të paharrueshmit mbetet ai i thuajse një dekade më parë ku ajo vishte më së shumti bluza të mëdha e të gjera dhe çizme të gjata deri te kupa e gjunjve.
“Ishte një periudhë shumë e çuditshme e jetës sime,” tregoi ajo, teksa shikonte një foto të vetes duke dalë nga apartamenti i saj i vjetër në New York, e veshur me një bluzë të zezë të gjerë, çizme mbi gjunjë dhe një çantë jeshile të lidhur pas belit.

“Po kaloja shumë gjëra dhe gjithmonë doja të fshihesha brenda diçkaje të rehatshme. Por më kujtohet që çizmet më bënin të ndihesha mirë dhe e fuqishme,” tha ajo.
Sipas saj, veshja ishte gjëja e fundit që mendonte gjatë asaj kohe. Ja përse zgjodhi atë stil si zgjidhja më e lehtë, pasi sado e thjeshtë apo fare e pamenduar të dukej zgjedhja e bluzës, kombinimi me një palë çizme të guximshme e bënte të dukej sikur ishte përpjekur pak.
Ajo periudhë ishte shumë e vështirë për këngëtaren. Në vitin 2017, gjatë një koncerti në Manchester në Angli, një sulm terrorist mori jetën e 22 personave dhe plagosi mbi 500 të tjerë.
Ajo u shpreh se 22 maji i vitit 2017 kishte shënuar një pikë kthese në jetën e saj.
Një vit më vonë, ish-partneri i këngëtares, Mac Miller humbi jetën si pasojë e një mbidoze aksidentale. Në të njëjtin vit, Ariana u lidh me Pete Davidson dhe brenda shumë pak javësh u fejuan, derisa disa muaj më vonë i dhanë fund marrëdhënies.

Transformimi i pamjes së saj ndër vite ka qenë vërtet i madh. Nga veshja, vetullat, ngjyra e flokëve dhe pesha.
Kohët e fundit, të shumtë kanë qenë ndjekësit që kanë komentuar të shqetësuar mbi rënien e dukshme në peshë të këngëtares.




